MSH urdhër spitaleve: Planifikoni operacione sipas kontratës me koncesionarin

schedule17:44 - 3 Prill, 2019

schedule 17:44 - 3 Prill, 2019

Kirurgët duhet të tregohen të kursyer me operacionet që kryejnë, kanë apo jo nevojë pacientët. Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar drejtoritë e spitaleve që ndërhyrjet kirurgjikale t’i planifikojnë bazuar në kontratën e lidhur me koncesionarin që furnizon sallat me materialet sterile.

Nëse një pacient ka nevojë për ndërhyrje  kirurgjikale mjekët nuk mund ta fusin në sallë nëse spitali ka tejkaluar numrin e operacioneve që ka planifikuar për të kryer në një muaj.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale  ka detyruar spitalet që operacionet t’i përcaktojnë duke u bazuar në buxhetin e parashikuar në kontratën me koncesionarin që furnizon sallat me instrumenta dhe materiale mjekësore sterile një përdorimshe.

Në spitalin e Durrësit përshembull në një muaj duhet të kryhen 155 nderhyrje kirurgjikale,  65 prej tyre te planifkuara,  por nëse  numri i operacioneve urgjente rezulton më shumë se 90  shefi i shërbimit duhet t’i shtyjë ndërhyrjen pacientit që e ka planifikuar.

Të paktën kështu thuhet në shkresën që drejtoria i ka dërguar shefit të shërbimit të kirurgjisë në spitalin e Durrësit.

Ndërkohë spitali i Fierit nuk duhet të tejkalojë buxhetin prej 46 mijë lekë në vit për shërbimin e sterilizimit.

Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i kërkon spitalit  rajonal të ruajë limitet buxhetore dhe të planifikojë numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale në përputhje me kontratën e lidhur me koncesionarin.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e pyetur nga ABC NEËS  thotë se këto janë çështje organizative të spitaleve e nuk kanë të bëjnë me të, por drejtori i Fondit Rajonal shkruan se urdhrin e tij e bazon në shkresën e Ministrisë. Veç kësaj ai i kërkon spitalit të Fierit që çdo muaj të njoftojë për këtë çështje Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë.

Ministria e Shëndetësisë në dhjetor të vitit 2015 i dha me koncension Sani Service sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale. Kontrata u firmos për një afat 10 vjeçar me një vlerë të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh.

Seti kirurgjik për ndërhyrjet e kompleksitetit të lartë kushton  37.700 lekë, ai për ndërhyrjet me kompleksitet të mesëm 22.300 lekë dhe për ndërhyrjet me kompleksitet të ulët 13.900 lekë.

Në rastet kur përdoren më shumë materiale sterile se ato të përcaktuara apo kur vonohet disbursimi i pagesave kontrata përcakton penalitete për autoritetin kontraktor.

Për t’ju shmangur penaliteteve  Ministria e Shëndetësisë i kërkon spitaleve të tregohen të kursyer me operacionet që kryejnë, kanë apo jo nevojë pacientët. /abcnews.al