30 persona kanë mbetur të lënduar gjatë protëstës së opozitës mbrëmjen e shkuar dhe kanë kërkuar ndihmën e mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe spitalin e Traumës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë bëhet fjalë për 18 punonjës policie dhe 12 protestues, kalimtarë të rastit dhe punonjës të medias të lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike dhe bombave Molotov.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se aktualisht gjendja e të lënduarve paraqitet e mirë. Pjesa më e madhe e tyre kanë lënë spitalin pasi kanë marrë ndihmën e mjekëve.
Ndërkohë që në spitalin e Traumës vijon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekeve Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike Sahit Dollapi.
Përmes një deklarate për shtyp spitali i Traumës thotë që Dollapi mbërriti në spital në orën 00: 30 të mëngjesit pasi ankohej për dhimbje gjymtyrësh.
Gjendja shëndetësore e Dollapit thuhet në deklaratë rezulton e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën./ABC News Albania 24/7