Mrekullitë e pemës së shenjtë, shkodrani zbulon imazhe në drurin e ullirit

schedule22:03 - 24 Dhjetor, 2022

schedule 22:03 - 24 Dhjetor, 2022

Nga Simon Shkreli

Muhamet Trepçi është unik në punën e tij. Nxjerr në pah elementë, të cilët mund t’i kemi para syve, por nuk e dimë se egzistojnë.

72 vjeçari shkodran në brendësi të pemës të ullirit zbulon pamje dhe figura mahnitëse. Për të druri ka emocione të cilat formon në trungun e tij.

“Muhamet Trepçi, artizan…“Druri I ullirit duke qenë shumë jetë gjatë, ka shumë gjurmë, ka shumë bira, ka shumë dëmtime dhe gjitha këto shprehin emocionet e pemës. Unë e kam lidhë këto emocione me gjetjen e figurave. Këto i kam quajtur mrekulli të nënës natyrë, që burojnë nga një dru shumë i shenjtë i të gjithave fetë. Përmendet si dru i shejtë si në Bibël ashtu dhe në Kuran. Imazhet janë unike, kontrastet janë ekstreme nga e verdha, në bojë kafe deri në të zezë dhe harmonitë e linjave janë në perfeksion të natyrës.”

72 vjecari gjetjen e këtyre figurave e quan rastësi.

“Tek gjetja e figurave një element shumë i rëndësishëm është rastësia. Një shok i imi që ka shkruar një artikull, për këto punët e mia, Gjergj Preluca quhet.” Ai thotë: “Rastësia nuk viziton do këdo!”. Kurse Fadil Kraja, shkrimtari, në artikullin që ka bërë për këto punë thotë: “Kush nuk beson në çudira, nuk është realist!”. Kombinimi i rastësisë me gjetjen e këtyre dy kolonave, që i quaj unë, realizon këtë vepër arti.”

Lidhja e tij me drurin është e herëshme. Kur ishte 17 vjeç punoi si marangoz, elektricist dhe hidrulik në Universitetin e Shkodrës. Më pas studioi për inxhinieri elektrike dhe u punësua si laborant në katedrën e fizikës. Pas vitit 1990 e la mësimdhënien dhe ju dedikua artizanatit.

Imazhin e parë në brendësi të drurit të ullirit e zbuloi në vitin 1998. Është ky zog.

Shtysa për të vazhduar ishte Umberto Eco. Lexoi një shkrim të tij të vitit 1961, “Për fotografitë e bëra në mure”.

“E kam përmendur dhe në librin që kam shkruar: “Me emocionet e nënës natyrë”, kam përmendur autorin e parë që më ka ndihmuar, Zef Pacin më ka thanë që këto quhen vepra arti dhe më ka sjellë artikullin e Umberto Ecos. Ai shpjegon se kur këto gjetje janë vepra arti. Me këtë artikull unë e kam ndierë veten të sigurt dhe ka qenë si busull për mua.”

Arti ka shpirt dhe kjo është lidhja që e bënë Muhamet Trepçin të ndihet mirë me punën dhe me gjetjen e këtyre figurave. Është i mendimit se sa më i dëmtuar të jetë druri aq më shumë emocione ka kaluar dhe aq më shumë imazhe formon.

“Druri ka emocione, se ka vështirësitë në jetën e vetë, duke filluar nga ndryshimi i temperaturave, keqpërdorimi apo dëmet që i bëhen. Ka disa arsye që druri të emocionohet. Druri s’ka gëzime ka vetëm vështirësi. Ai dru që nuk ka asnjë emocion nuk ka asnjë gjurmë.”

Imazhet i ndan në kategori dhe beson se kanë lidhje të fortë mes artit dhe shpirtit.

“Janë figura të natyrës ikonografike, janë disa të natyrës fotografi, janë disa të natyrës së mirëfilltë vepra arti.”

Pikaso ka thënë, “Unë nuk kërkoj, por gjej”. Muhamet Trepçi gjen atë që druri përjeton. Ato nuk mund të përsëritën.

“Për të respektuar personat nesër kam thanë një shprehje, mund të gjenden edhe më të bukura. Pra ai personi nesër do të gjej edhe më të bukura, por jo si këto.”

Ai na shpjegon dhe disa zbulimet para.

“Zogu është gjetja e parë, janë katër nga i njëjti trung. E kam quajt simbolin tonë, e kam vendos në gjitha fletpalosjet, në libër. Këtu janë katër shoqe, patat, katër shokët e zogut dhe këto janë prerë nga i njëjti trung.”

Nga trungjet e mbledhura e ditëve të fundit kanë dalë figura sa mistike dhe reale.

“Është një figurë gjysmë e gjallë, gjysmë mitike. Kjo është një figurë e një kafshe, një tip zvarraniku, ka syrin, ka gojën. Edhe kjo tjetra është e të njëjtës periudhë, këtë javë janë gjetur. Edhe kjo është duke sulmuar një ushqim, edhe kjo tip zvarraniku o uji o toke.”

Disa nga këto vepra i ka ekspozuar për herë të në muzeun shtetëror të Italisë në Romë në vitin 2007.

“Mu dha rasti për t’i çuar në Itali te një komision me një president Kavaljer me titull personal, Giancarlo Alu. Ai mori përsipër promovimin e këtij arti. Dhe ekspozimi I parë ashtë bërë në Romë në Muzeun e shtetit Italian “Vittoriano”. Aty kanë qenë rreth 50 piktura, unë kam kenë ivetëm me këtë gjini. Ekspozita ka qenë e hapur 15 ditë.”

Festat nuk i kanë munguar. Tregon se për arsye financiare në disa prej tyre nuk ka mundur të marrë pjesë.

“Kam pas ftesa një ekspozitë në Budva, që ka ndej e hapur 15 ditë secila të hapura edhe me nga një muaj në Stamboll në Selanik. Më e fundit ka qenë në Londër ku ka marrë pjesë edhe një shoqatë e UNESCO-s certifikatën e pjesëmarrjes e kam marrë prej tyre.

Kam ftesa shumë, por pamundësia ekonomike më bën që unë të mos I frekuentoi të gjitha. Kam lanë Parisin, kam lënë New York-un, pa i ekspozuar për arsye të shpenzimeve që janë shumë të mëdha.”

Të huajt e kanë listuar punishte e tij në guidat turistike. Po në Shqipëri është thuajse i panjohur, nuk është ftuar të marrë pjesë në asnjë ekspozitë.

“Pak e çuditshme është me thanë të drejtën! Unë nuk kam kërkuar të bëj një ekspozitë, se e di që e dinë që egzistoj. Ndoshta do kishte qenë mirë, unë e kam bërë punën time. Unë qyteti I kam dhanë këtë vlerë artistike, kam bërë një punë timen. Atyre ju takon të bëjnë punën e vetë, në qoftë se duan të bëjnë një ekpozitë, por nuk shoh që kanë dëshirë shumë.”

72 vjeçari është modest. Edhe pse famën nuk e kërkon njohës të artit dhe miq të tij kanë shkruar për zbulimet e tij.

“Më rehat që mos jem shumë në fokus. Jam shumë i kënaqun kur përveç shkrimtarëve edhe njerëzve, që nuk janë specialist. Po në veçanti kur ka shkruar Zhaneta apo e kanë vlerësuar Igbal Kalaja, dhe piktorë të tjerë si Agim Kadillari, kam shpjegime dhe kanë shpreh superlative për këto pamje. Deri tani kanë shkuar 9 artikuj dhe gazeta të ndryshme.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!