Presidenti Ilir Meta përplaset me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim. Dy ditë më parë Ilir Meta u kërkoi qytetarëve që të “mprihnin sëpatat e sfurqet” për të mbrojtur votën në 25 Prill, ndërsa mbrëmjen e sotme ambasadorja amerikane i kërkoi të ndalet duke i cilësuar të papranueshme deklaratat, pasi ata që nxisin dhunë, sipas diplomates së SHBA-së do të mbajë përgjegjësi.
“Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin sfurqet në 25 prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisim dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimet e tyre. Ndal”, shkroi ambasadorja Kim.
Presidenti Ilir Meta iu përgjigj direkt gjatë një interviste te SyriTv duke i kërkuar që të shikojë punën e saj dhe të mbajë vendin e saj dhe jo të ndërhyrë në Shqipëri. Ilir Meta tha Kim i kishte kërkuar që Dvorani të rikthehej në krye të KED-së.
“Meqë më dërgoi live SMS i them Ambasadores Amerikane mos e mbështet më Edi Ramën. E përqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll ndërhyre në punët e brendshme të Shqipërisë në këtë mënyrë të njëanshme. Meqë jam transparent po ju them edhe një fakt që Ambasadorja Amerikane më ka kërkuar mua si President, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvoranin. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës” tha Meta.
Ilir Meta tregoi cfarë i tha ambasadores amerikane. “Po i them se ajo është përgjegjëse për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës dhe jo mes Serbisë dhe Amerikës.
Po të dojë të vijë këtu me Edi Ramën dhe me kë të dojë. Ambasadorja e Amerikës nuk më kërkon cfarë duhet të bëjë për llogari të Edi Ramës dhe nuk merr dot në telefon për llogari të Ramës, që të pranoj të kthehet prapë Dvorani në KED. Dhe ka bërë shumë gabim se e ka bërë për llogari të Edi Ramës” tha ai.
Presidenti u shpreh se nuk trembet aspak nga SHBA. “Po të kemi frikë nga Amerika se ka aeroplanmbajtëse, ka edhe Rusia, duhet ta kemi frikë? Ambasada amerikane të shikojë punën e saj” deklaroi Meta./ db/ Abcnews.al