Procesi i vaksinimit me produktin e AstraZeneca-s do të vijojë në vendin tonë. Komiteti Kombëtar i Imunizimit dhe Vaksinimit u mblodh mbrëmjen e sotme dhe u vendos për vazhdimin e procesit, mëson abcnews.al
Një numër i madh vendesh janë duke e pezulluar përdorimin e kësaj vaksinë, për shkak të disa raportimeve, sipas të cilave, si efekt anësor ajo shkakton mpiksje të gjakut. ABC mëson se është marrë vendimi në fund të mbledhjes që të vijohet me dozat e vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca.
Vaksinat e prodhuara nga AstraZeneca kanë nisur të administrohen prej disa ditësh në vendin tonë, kryesisht tek stafet pedagogjike. Nuk munguan edhe ata që ngurruan të vaksinoheshin pasi besueshmëria ndaj kësaj vaksine ka rënë ndjeshëm.
Kurse, gjatë një bisedimi të shkurtër me mësuesit që sapo kishin marrë vaksinën, kryeministri Edi Rama u ka thënë se nuk duhet të shqetësohen pasi sipas tij po ndiqet strategjia e shumë vendeve të cilat nuk kanë marrë nga seria e dyshuar e AstraZeneca. Më tej ai ka shtuar se nuk ka asnjë evidencë që ka probleme, ndërsa si shembull ka sjellë Britaninë e Madhe duke thënë se atje ka pasur miliona vaksinime dhe nuk është shfaqur asnjë shqetësim. /abcnews.al/