MPB: Për një javë u lëshuan mbi 10 mijë targa të përkohshme

schedule12:34 - 27 Shtator, 2021

schedule 12:34 - 27 Shtator, 2021

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi se nga 20 deri më 26 shtator ka administruar 10,110 targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.

Sipas MPB-së, këto targa janë administruar në të gjitha pikëkalimet kufitare të Kosovës dhe në qendrat për regjistrimin e automjeteve.

Që prej 20 shtatorit, Kosova po aplikon masën e reciprocitetit sa i përket targave të automjeteve nga Serbia. Shoferët duhet të heqin targat serbe dhe të vendosin targat e përkohshme që lëshohen nga autoritetet e Kosovës.

Këto targa të përkohshme kushtojnë pesë euro dhe kanë vlefshmëri për 60 ditë.

Por, që nga vendosja e kësaj mase, rrugët që çojnë në pikëkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga qytetarët serbë, të cilët kanë vendosur në rrugë kamionë e mjete të tjera të rënda.

Megjithatë, sipas të dhënave të MPB-së, në Jarinjë janë administruar 13 targa, ndërkaq në Bërnjak 11.

Qeveria e Kosovës ka thënë se me këtë masë po vepron ashtu siç Serbia ka vepruar për vite me radhë me automjetet me targa të Kosovës.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./REL