“Muri i Kujtesës”, një mozaik nga Fatos Kabashi për të cilin punoi me ditë të tëra bëri jehonë të madhe. Në një lidhje me Skype në “Abc-ja e mëngjesit”, Kabashi tha se për realizimin e tij i janë dashur 6 muaj për ta përfunduar në mars të këtij viti.
Punimi në Bllacë ka në fokus imazhin e një nëne që mban në krah të bijën e saj duke u larguar nga tmerri që kanë përjetuar në Kosovë gjatë luftës. Për artistin shqiptar nga Kosova, ky punim është shoqëruar me emocione të mëdha për faktin se dhe vetë e ka përjetuar luftën.
Ai tregoi ndër të tjera se realizimi i tij është bërë i mundur me 250 mijë gurë. Kabashi u shpreh i indinjuar për faktin se gjatë përurimit të “Murit të Kujtesës”, nuk iu dha mundësia të fliste para publikut për të patur mundësi që ta njihnin krijuesin e kësaj vepre.
“Mozaiku ka filluar që në Tetor dhe është realizuar me gurë natyral. Jam munduar të përdor materialin në mënyrën e mozaikut natyral. Kam përdorur këto gurë sepse e tregon realitetin dhe zbehjen e asaj kohe që kanë kaluar refugjatët.“, u shpreh ai në “Abc-ja e mëngjesit”. /abcnews.al