Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Mozaikët e Beratit që po rishkrujnë historinë! Arkeologët zbulojnë ç’fshihet pas “Nënës së Zotit”

schedule12:17 - 30 Mars, 2026

schedule 12:17 - 30 Mars, 2026

Zbulime që tronditin historinë dhe hapin kapituj të rinj për një nga qytetet më të lashta të vendit. Në studion e ABC-së së Mëngjesit, arkeologët Elda Omari dhe Ols Lafe ndanë detaje mbi dy zbulime të jashtëzakonshme në Berat, që hedhin dritë mbi jetën fetare dhe kulturore të Antipatrea.

Nën shtresat e qytetit modern, aty ku sot shohim shtëpitë e bardha dhe arkitekturën osmane, fshihet një histori shumë më e thellë. Berati, i ndërtuar mbi rrënojat e Antipatreas antike, vazhdon të befasojë studiuesit me gjurmë që dëshmojnë për një qytet të gjallë dhe të rëndësishëm në kryqëzimin e rrugëve tregtare të Ballkanit me Mesdheun.

Dy mozaikë të Antikitetit të Vonë, të zbuluar rastësisht gjatë punimeve infrastrukturore në vitet 2012 dhe 2018, po ndryshojnë mënyrën si e lexojmë këtë histori. I pari, i gjetur brenda kalasë, në një thellësi rreth 1.8 metra, rezulton të jetë pjesë e një dyshemeje të madhe kishe të hershme të krishterë. I dyti, i zbuluar në qytetin e poshtëm, madje pjesërisht nën themelet e një xhamie, përforcon idenë se Antipatrea kishte një rrjet të zhvilluar kishash.



Këto gjetje janë më shumë se thjesht artefakte: ato janë dëshmi të një komuniteti të gjallë të krishterë që lulëzonte në këtë zonë. Një nga elementët më domethënës është mbishkrimi në greqisht me fjalën “Theotokos” ose “Nëna e Zotit”, një simbol i fortë i besimit dhe praktikave fetare të kohës.

Mozaikët, të pasur me motive gjeometrike dhe ngjyra të shumta si e bardha, e kuqja, rozë, gri dhe e zeza, tregojnë për një nivel të lartë mjeshtërie artistike. Edhe pse ngjashmëritë me vende të tjera të rajonit si Bylisi dhe Butrinti janë të dukshme, studiuesit besojnë se këto vepra janë krijime të mjeshtërve lokalë, duke përdorur materiale të zonës si guri gëlqeror dhe terrakota.

Historia e Beratit dëshmon se qyteti është shkatërruar dhe rindërtuar shumë herë, nga periudha romake në atë bizantine e më pas osmane. Por pikërisht kjo e bën atë një “arkiv të gjallë” nën tokë, ku çdo gërmim mund të nxjerrë në dritë një të vërtetë të re./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!