Jose Mourinho ka gjithmonë diçka për të thënë. Në korrik do të fillojë punë si trajner i Romës, diçka për të cilën ndihet entuziast. Tekniku i famshëm portugez ndalet edhe tek Euro 2020, teksa zbulon dy ofertat që ka marrë nga kombëtaret.
“A jam i emocionuar që do të punoj si trajner i Romës? Sigurisht që po. Kam krijuar një lidhje të fortë me pronarët e Romës. Nuk është vetëm ajo ndjesia që do të punoj për ta, por që do të punoj së bashku me ta. Më pëlqeu shumë mënyra si më pritën.
Unë jam gjithmonë entuziast në lidhje me futbollin. Ndihem bosh dhe i humbur kur jam pa ekip. Nuk di çfarë të bëj pas darkës“, deklaron Mourinho, i cili kalon te Euro 2020, duke zbuluar edhe dy oferta që ka marrë nga ekipet kombëtare.
“Unë mendoj se Anglia ka shanse të fitojë Euro 2020. Franca ka një skuadër të pabesueshme, por nuk shoh ndonjë skuadër tjetër më të fortë se Anglia. Më propozuan skuadrën angleze pasi u largova nga Chelsea, por ishte herët të punoja në kombëtare.
Më tentoi edhe Portugalia kur isha trajner i Real Madrid. Ishte një ofertë e jashtëzakonshme, do duhej të punoja ‘part-time’. Ky është lloji i punës që do të më pëlqente të bëja në të ardhmen“, deklaroi “Special One”. /abcnews.al