Mourinho: Spanja jo aq e fortë sa Italia, çfarë më tha Spinazzola në telefon

schedule12:55 - 4 Korrik, 2021

schedule 12:55 - 4 Korrik, 2021

Itali-Spanjë po pritet me interes të madh. Dy kombëtaret do të ndeshen mes tyre të martën në mbrëmje (21:00) në stadiumin “Wembley”, sfidë e vlefshme për gjysmëfinalet e Euro 2020.

Jose Mourinho ka zbarkuar në Romë për të nisur aventurën me verdhekuqtë, teksa në prononcimin e dhënë për TalkSport flet rreth dëmtimit të Leonardo Spinazzolës dhe bisedës me lojtarin e tij.

Më pas analiza e kombëtares së kaltër, që i po bën të gjithë për vete me futbollin e bukur që po prodhon. Spanja është e rrezikshme, por tekniku portugez mendon se Italia është më e fortë.

 

Leonardo Spinazzola

Në Itali janë shumë të lidhur me ekipin kombëtar. Për momentin ndodhem në karantinë në Romë, në qendrën stërvitore të klubit, por e ndjej që të gjithë nuk janë vetëm të ngazëllyer, por shumë pozitivë për ekipin e Mancinit.

Italia nuk po bën mirë vetëm në Euro 2020, ata janë paraqitur kështu edhe më parë. Ekipi ka një përzierje shumë të mirë, lojtarët kanë aftësi teknikë, por edhe dinë të mbrojnë siç duhet.

Bonucci dhe Chiellini luajnë me sy mbyllur me njëri-tjetrin, pasi kanë shumë vite që luajnë së bashku. Italia humbi Spinazzolën, por edhe unë e humba. Nuk do e kem në dispozicion për gjashtë muaj, e imagjinoni sa të vështirë do kem?

Mancini ka humbur një lojtar të rëndësishëm. Tani kanë Emerson Palmierin në krahun e majtë, një lojtar i mirë dhe me përvojë, por Spinazzola po luante në mënyrë të shkëlqyer.

Jorginho i jep ekipit një stabilitet të jashtëzakonshëm. Pastaj janë Barella, Verratti dhe Locatelli, Italia ka kaq shumë talent dhe cilësi në mesfushë.

Immobile dhe Belotti nuk po shënojnë, por golat po vijnë edhe nga pozicione të tjera. Insigne, Chiesa… ekipi i kaltër ka shumë alternativa dhe shpirti i skuadrës është i duhuri.

 

Festa pas golit të parë ndaj Austrisë

Edhe stafi teknik është i plotësuar, Mancini është i rrethuar me miq me përvojë dhe eksperiencë të jashtëzakonshme, të cilët kanë krijuar një atmosferë shumë të mirë.

Fola sot me Spinazzolën dhe ai po më tregonte sesa të sigurt dhe të mbushur me besim janë shokët e tij… Sigurisht që nuk po them që Italia do të kualifikohet me 100% në finale.

Kam shumë respekt për Spanjën, por nuk mendoj se janë aq të fortë sa Italia. Gjithsesi, ata kanë talente dhe kualitet në skuadër.

Kanë një stil të caktuar loje dhe nëse ndeshja merr drejtimin që ata duan, Spanja ka aftësinë të dëmtojë çdo kundërshtar“, përfundoi “Special One”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!