Mourinho “refreni i fitores”, tifozët nderojnë ish-trajnerin e tyre në Roma-Verona

schedule23:49 - 21 Janar, 2024

schedule 23:49 - 21 Janar, 2024

Kur fiton zemrën e publikut ke arritur maksimumin. Jose Mourinho nuk është më trajner i Roma-s, por tifozët kryeqytetas nuk e harruan kaq shpejt, dhe besohet do ta kenë në zemër përgjithmonë.

Ata e brohoritën emrin e portugezit të shkarkuar pak ditë më parë nga klubi, dhe ashtu si tek Interi, “ Veçanti” do të mbetet veçantë edhe në “Qytetin e Përjetshëm”. Gjithsesi, tifozët në stadiumin “Olimpico” u lumturuan më shumë që Roma e tyre u kthye tekfitoret, edhe pse mjaft ngushtë, 2-1 ndaj Veronës.

Në një përballje të Serie A me dy fytyra, “Verdhekuqtë” ishin dominues në pjesën e parë, dhe epërsia u konkretizua me golat e “bomberit” belg, Romelu Lukaku e kapitenit, Lorenzo Pellegrini. Kjo, edhe pse tifozët e vërshëllyen fort kapitenin Pellegrini.

Në stol ishte Daniele De Rossi, që ka qenë një kapiten i madh, e që tifozët e vlerësojnë si një legjendë, pak a shumë si kapitenin e jashtëzakonshëm, Francesko Totti.

“Padyshim që ishte një moment delikat dhe ishte e rëndësishme që fituam pikët. Kjo do të na ndihmojë që të punojmë më të qetë ditët e ardhshme. Jam shumë I lumtur për pjesën e parë. Djemtë më pëlqyen shumë, edhe pse kemi pasur pak ditë në dispozicion. Nëse do të luajmë si në 45 minutat e para mund të arrijmë shumë gjëra.

Nuk kisha asnjë dyshim se do të kisha provuar emocione të forta. Si trajner qenka më e vështirë. Ka shumë gjëra për të menduar, por ishte shumë bukur. E ndjeva për detyrë të shkoja të përshëndesja tifozët, duhej ta bëja xhiron e nderit për ta sepse për 20 vjet kanë qenë të mrekullueshëm”,- u shpreh tekniku i ri i “Verdhekuqve”.

Roma ka tani 32 pikë në 21 javë, duke qenë plotësisht në garë për zonën Champions në Serinë A, ndërsa De Rossi shpreson që fitoret të jenë në seri. Ndërkaq, duhet shtuar se tifozët e përshëndetën nxehtësisht në përfundim të sfidës. /i.m /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!