Pas blerjes së Gareth Bale dhe Sergio Reguilon në merkaton e verës së shkuar, tashmë Jose Mourinho ka piketuar një tjetër lojtar të Real Madrid. Trajneri i Tottenham kërkon të rikthejë në Londër mesfushorin Luka Modric, kontrata e të cilit përfundon në verën e vitit 2021.
Sipas raportimit të “El Chiringuito de Jugones”, londinezët do e tentojnë kroatin dhe ai do të ketë mundësinë të negociojë me çdo ekip pas datës 1 janar. Ndërkohë, trajneri Zidane ka kërkuar rinovimin e kontratave jo vetëm për Modric, por edhe për Ramos e Lucas Vazquez, të cilëve gjithashtu iu përfundon marrëveshja në verën e ardhshme.

Deri më tani drejtuesit e Realit nuk kanë arritur dot të gjejnë një gjuhë të përbashkët me lojtarët e përmendur dhe Mourinho është gati të përfitojë. Kujtojmë që 35-vjeçari u transferua në Madrid në vitin 2012 nga Tottenham dhe që nga ajo kohë ai ka fituar dy herë titullin e La Liga si dhe katër herë Champions League. /abcnews.al

