Kosova pritet të përballet me mot të paqëndrueshëm gjatë ditës së sotme dhe në orët në vijim, ndërsa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar paralajmërime për reshje intensive, stuhi, breshër dhe erëra të forta.
IHM ka njoftuar se gjatë ditës në vend do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme, por nga orët e mesditës pritet ndryshim i kushteve atmosferike.
Sipas institutit, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites do të zhvillohen vranësira, të cilat vende-vende do të shoqërohen me reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh.
Paralelisht me këtë paralajmërim, Organizata Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX), e cila monitoron motin e ashpër në Evropë, ka lëshuar një alarm të nivelit 3, niveli më i lartë i rrezikut, për Kosovën dhe disa vende të rajonit.
Alarmi i nivelit 3 është lëshuar për zonën që shtrihet nga Italia, përmes Kroacisë jugore, Bosnjës jugore, Malit të Zi dhe Kosovës.



