Moti i keq përfshin Italinë, gjendje alarmi në jug të vendit dhe në veri

schedule11:32 - 12 Nëntor, 2019

schedule 11:32 - 12 Nëntor, 2019

Pjesa më e madhe e Italisë është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura dhe erëra të forta. Në disa zona janë mbyllur kopshtet dhe shkollat fillore, ndërsa në kryeqytet situata është kaotike si pasojë e bllokimit të trafikut rrugor.

Moti i keq ka përfshirë Italinë; janë disa rajonet ku është shpallur gjendja e alarmit: Kalabri, Bazilikatë, Sicili, Pulia, Emilia Romania, Lacio, Umbria etj. Në këto zona reshjet e shiut janë shumë të dendura dhe erërat e forta kanë vështirësuar qarkullimin e trenave.

Duke filluar që nga dita e hënë reshjet dhe erërat e forta përfshinë perëndimin e vendit duke regjistruar dhe dëme material të konsiderueshme sidomos tek të mbjellat. Mbrojtja civile ka vënë alarmin për përmbytje në Sicili, Kalabri dhe Bazilikatë.

Por situatë e vështirë është dhe në Romë ku përmbytjet, mbylljet e rrugëve, dhe incidentet kanë shkaktuar kaos në kryeqytetin Italian.

Bashkia në Venecia vendosi që të mbyllë kopshtet dhe shkollat fillore si masë paraprake për rrezikun e përmbytjeve.

Në Napoli për shkak të motit të keq janë mbyllur parqe, varreza dhe shkolla sidomos për shkak të erërave të forta. Autoritetet paralajmërojnë banorët të kenë kujdes nga pemët dhe tabelat e ndryshme në rrugë. /abcnews.al