Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka raportuar mbi situatën më të fundit në vend pas përkeqësimit të motit. Ministri u shpreh se situata është e menaxhueshme dhe se nuk paraqet rrezikshmëri të lartë por problematikë mbeten disa zona në Shkodër dhe Lezhë.
“Parashikohet rritje të prurjeve në lumenjtë Drin, Buna, Mat dhe Vjosë. Për pasojë pritet shtim të përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës dhe në zonat periferike. Do të ketë rrezik të shtuar për përmbytje dhe në lumin Vjosa. Në qarqet Dibër, Lezhë, Elbasan dhe Gjirokastër pritet që të ketë vërshim të lumenjve si dhe rrëshqitje të dherave.
Priten reshje intensive në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë dhe Elbasan.”, tha ai. Ministri theksoi se pritet që të ketë shtim të reshjeve dhe për rrjedhojë rrezik të shtuar në pjesën e Nënshkodrës. Sa i përket lumenjve, Peleshi tha se disa prej tyre janë brenda kuotave normale. Problematikë paraqet lumi Buna dhe lumi Vjosa.
“Jemi afër niveleve kritike por projeksionet janë pesimiste duke pasur parasysh vijimin e intensiteti të reshjeve në vazhdim.“, u shpreh ministri. Peleshi theksoi gjithashtu se energjia elektrike është kthyer në një pjesë të zonave ku ka pasur problematika për shkak të erës së fortë dhe reshjeve të shiut.
“Shkarkimet janë në rënie dhe po menaxhohen shumë mirë nga KESH. Faktori negativ i shkarkimeve po vjen duke u ulur pasi shkarkimet po menaxhohen shumë me kujdes, furnizimi me energji elektrike është rikthyer në pjesën më të madhe. por është një problematikë që e shoqëron këtë periudhë për shkak të reshjeve të larta dhe erërave në këtë sezon.“, shtoi ai.
Ai gjithashtu pohoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për t’i paraprirë çdo situate. “Duhet më shumë vëmendje nga bashkitë, të merren masat në kohë për të paralajmëruar popullsinë në ato zona ku parashikohet rrezik për përmbytje. Të kemi të gatshme kapacitetet për evakuim dhe strehim ndonëse nuk kemi shumë banesa nën kërcënim të përmbytjeve.
Të jemi në bashkëpunim me të gjitha strukturat. Të vijohet pa ndërprerje monitorimi i lumenjve, rezervuarëve, hidrovorëve, digave, kanaleve dhe përrenjve. të jenë në gatishmëri të plotë të gjitha strukturat për menaxhimin e situatave që mund të krijohen. Të raportohen çdo rast pranë qendrës kombëtare të emergjencave civile që të merren masa në kohë.”, tha Peleshi./abcnews.al