Moti i keq në vend, Emergjencat Civile informojnë për situatën: Përmirësime në Shkodër e Lezhë

schedule19:32 - 21 Nëntor, 2022

schedule 19:32 - 21 Nëntor, 2022

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ka informuar për situatëm e reshjeve në vend, duke bërë me dije se ka një përmirësim të konsiderueshëm në Shkodër e Lezhë.

Në rreth 4356 ha sipërfaqe ka prani uji, ndërsa tërheqja bëhet ngadalë. Në qarkun e Shkodrës janë evakuuar rreth 318 banorë, ndërsa janë shpëtuar dhe 57 krerë bagëti.

Në Durrës, Kukës, Dibër situata paraqitet e normalizuar, ndërsa po monitorohet niveli i lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen.

Njoftimi:

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, ka një përmirësim të konsiderueshëm të situatës së krijuar si pasojë e reshjeve në vend, veçanërisht në dy qarqet më problematike, Shkodër e Lezhë.
Uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve.
Ka prani uji në rreth 4356 ha sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë, por situata po monitorohet me vëmendje.
Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Po ashtu janë evakuuar edhe 57 krerë bagëti.
Përmirësim të konsiderueshëm ka edhe situata në Lezhë, por orët në vijim mbeten sërish kritike, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut.
Në Bashkinë Lezhë zonat më të prekura janë njësitë Dajc, Blinisht, Balldren, ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa.
Në monitorim është edhe situata sa i përket nivelit të lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen.
E normalizuar paraqitet situata në Durrës, Kukës, Dibër.
Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave dhe do të qëndrojnë në terren edhe gjatë orëve të natës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!