Të paktën 13 persona kanë humbur jetën në Turqi si pasojë e shkëputjes së ortekëve të dëborës në provincat lindore turke.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se grumbujt vdekjeprurës të borës u shkëputën të martën dhe të mërkurën nga provinca lindore e Vanit, duke goditur me forcë një minibus që qarkullonte në një segment rrugor dhe forcat e shpëtimit të mbledhura për t’u ardhur në ndihmë.
5 pasagjerë të minibusit u gjetën pa jetë në vendngjarje nga orteku i parë ndërsa të paktën tetë pjesëtarë të forcave të kërkim-shpëtimit u raportuan të vdekur të mërkurën, nga një ortek i dytë që ra teksa vijonin operacionet e kërkimit.
Autoritetet thanë se nën peshën e dëborës janë shpëtuar në orët e kaluara mbi 50 persona të cilëve u është siguruar ndihma spitalore./abcnews.al