Masat ajrore të qëndrueshme do të vijojnë ndikimin e tyre edhe gjatë ditës së enjte duke sjellë mot të kthjellët në bregdet dhe zonat e ulëta ndërsa kthjellime dhe vranësira të pakta në zonat malore. Pjesa e dytë e ditës do të mbetet nën dominimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të herëpashershme në të gjithë territorin e vendit. Kjo situatë meteorologjike do të na shoqërojë deri vonë gjatë natës.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në vlerat minimale, por ulen maksimumet duke u luhatur nga 0°C vlera minimale e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 15°C vlera maksimale e cila pritet në qarkun e Fierit. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare në tokë dhe në det duke arritur shpejtësinë maksimale 30 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 1 – 2 ballë.
Kosova
Përgjatë gjithë 24-orëshit, republika e Kosovës do të jetë nën dominimin e masave ajrore me origjinë kontinentale duke sjellë dominim të motit të kthjellët dhe të ftohtë. Gjatë pasdites do të ketë vranësira të lehta e kalimtare në shumë zona të Kosovës, por nuk priten reshje. Përgjatë luginave do të ketë mjegull të dendur në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në mëngjes por ulen në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 0°C minimalja e shënuar në qytetin e Podujevës deri në 9°C vlera maksimale e cila do të shënohen në Gjakovë. Era do të fryjë e lehtë gjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 25 km/h nga drejtimi permanent veriperëndimor.
Maqedonia e Veriut
Nën mbizotërimin e motit të kthjellët dhe të ftohtë do të paraqitet edhe republika e MV gjatë gjithë paradites, por orët e pasdites do të sjellin vranësira të lehta e kalimtare në pjesën më të madhe të MV, më të fokusuara në zonat veriore dhe verilindore, megjithatë nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në mëngjes por ulen në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 2°C vlera minimale deri në 11°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e lehtë gjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 25 km/h nga drejtimi permanent veriperëndimor.
Evropa
Brigjet veriore dhe verilindore të Europës do të përfshihen nga vranësira të dendura duke sjellë reshje dëbore dhe temperatura mjaft të ulëta. Po ashtu, ishujt britanikë, gadishulli Iberik si edhe Europa qendrore do të përfshihen nga vranësira dhe shira intensive, ku problematike do të vijojë situata sërish në Francë dhe pjesërisht në Gjermani ndërsa pjesa tjetër e kontinentit europian do të mbizotërohet nga masa ajrore të qëndrueshme me origjinë kontinentale duke sjellë mot të kthjellët dhe të ftohtë./abcnews.al