Rusia po përgatit një nga ofensivat më të mëdha kundër Ukrainës, duke vendosur afro 10 mijë ushtarë në frontin me Ukrainën në kufi me Kharkiv. Në të bëjnë pjesë edhe 450 njësi të pajisjeve ushtarake.
Lëvizja e fundit e Rusisë vjen në momentin kur Putin do të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Për Putin, vizita në Korenë e Veriut është e një rëndësie të veçantë.
Shefi i Kremlinit premtoi mbështetjen e tij të palëkundur në një letër të publikuar nga media shtetërore e Koresë së Veriut të përpara vizitës së tij të planifikuar në Phenian.
Afrimi midis Rusisë dhe Koresë së Veriut shikohet me shumë shqetësim në Uashington. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller, përsëriti akuzat se Koreja e Veriut e kishte furnizuar Rusinë me “dhjetëra raketa balistike dhe mbi 11 mijë kontejnerë municionesh” për përdorim në Ukrainë.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara e kishin parë Putinin “të dëshpëruar gjatë muajve të fundit” dhe kërkon të ketë marrëdhënie të mira me Iranin dhe Korenë e Veriut për të kompensuar pajisjet e humbura në fushën e betejës.
Moska dhe Pheniani kanë mohuar transferimin e armëve. Rusia ka premtuar bashkëpunim me Korenë e Veriut në një sërë fushash humanitare, ekonomike, tregtare dhe ushtarake dhe ka bllokuar përpjekjet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të monitoruar dhe vendosur sanksione të reja ndaj Phenianit.
/abcnews.al