Moska është shprehur e gatshme për bisedime të nivelit të lartë me Shtetet e Bashkuara për stabilitetin strategjik global, sipas një deklarate të zëvendësministrit të Jashtëm rus Sergei Ryabkov.
Lajmi është bërë i ditur edhe nga agjensitë shtetërore ruse, ku theksohet se Rusia nuk përjashton mundësinë e bisedimeve të mëtejshme me SHBA-në pas takimit që pritet të zhvillohet në Kajro mbi traktatin e ri START rreth përdorimit të armëve bërthamore.
“Nëse amerikanët tregojnë interes dhe gatishmëri për bisedime, ne nuk do të refuzojmë”, tha ai.
Takimi i Komitetit Këshillimor START do të zhvillohet nga 29 nëntori deri më 6 dhjetor në kryeqytetin egjiptian.
Deklaratat vijnë disa ditë pas takimit midis krerëve të shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe ruse në Ankara në fillim të kësaj jave në lidhje me parandalimin e përdorimit të armëve bërthamore.
Në të njëjtën kohë, Dmitry Peskov, një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin, tha të premten se “dialogu me Perëndimin mund të bëhet një element përforcues në negociatat midis Federatës Ruse dhe Ukrainës, përndryshe pozicioni i Kievit është i ndryshueshëm”.
/abcnews.al