Në një kohë kur po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin, Rusia ka përsëritur skenarin e vrasjes së ish-spiunit të saj në Angli, Sergei Skripal. Viktima e radhës ka qenë një ish-luftëtar çeçen që jetonte në Gjermani, i cili është ekzekutuar me plumb pas koke.
Një emigrant çeçen që kishte luftuar kundër trupave ruse në luftën e viteve 2000 është qëlluar për vdekje në Berlin nga një agjent rus. Policia gjermane ka arrestuar një 49-vjeçar rus pak momente pas të shtënave dhe ka gjetur pistoletën dhe një biçikletë të përdorur prej tij në atentat. Dëshmitarë të cituar nga mediat gjermane deklaruan se vrasësi iu afrua emigrantit çeçen nga mbrapa me biçikletën e tij dhe e qëlloi dy herë në kokë përpara se të largohej me shpejtësi. Ngjarja ndodhi në një park në qendër të Berlinit. Policia, e cila nuk vonoi të mbërrinte në vendngjarje, përveç se arrestoi autorin gjeti dhe armën e përdorur prej tij, një “Glok 26” me silenciator, të cilën ai e kishte hedhur në lumë bashkë me biçikletën. I dyshuari kishte udhëtuar në Berlin nga Moska përmes Parisit pak ditë përpara sulmit dhe kishte edhe një biletë kthimi për në kryeqytetin rus, bëjnë të ditur mediat gjermane. Autoritetet deklaruan se ai kishte edhe një shumë të madhe parash në apartamentin e tij në Berlin, të marrë me qera për kohën e qëndrimit. 49-vjeçari është akuzuar për “vrasje në pabesi”. Dyshimet për këtë akt bien mbi Moskën pjesërisht për shkak të sulmeve të profilit të lartë kundër disidentëve që jetojnë jashtë Rusisë. Rastet më të bujshme janë ato ndaj ish-agjentëve sekretë Aleksandër Litvinenko në vitin 2006 dhe Sergei Skripal në vitin 2018, që u helmuan me agjent nervor. Ekzekutimi i ndodhur në Gjermani pritet të ketë pasoja në një kohë kur Rusia po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin. /ABC News Albania 24/7