Moska akuzon Armeninë se po “largohet” nga Rusia: Po bëni një gabim të madh

schedule17:27 - 25 Shtator, 2023

schedule 17:27 - 25 Shtator, 2023

Rusia akuzoi sot autoritetet armene se po përpiqen të “shkatërrojnë” marrëdhëniet midis dy vendeve, duke e quajtur atë një “gabim të madh”. Ndërsa Jerevani fajëson pjesërisht Moskën për konfliktin në Nagorno-Karabakh.

“Ne jemi të bindur se autoritetet armene po bëjnë një gabim të madh duke kërkuar qëllimisht të shkatërrojnë lidhjet ruso-armene, të cilat janë krijuar shekuj më parë, dhe po e bëjnë vendin e tyre peng të lojërave gjeopolitike të Perëndimit,” tha diplomacia ruse në një deklaratë.

“Deklaratat e fundit të Nikol Pashinyan konfirmojnë përfundimet tona të mëparshme që treguan se proceset, të frymëzuara nga Perëndimi dhe të nxitura nga Jerevani, që po shkatërrojnë vendin e tyre dhe marrëdhëniet tona dypalëshe, nuk janë të rastësishme, por sistematike,” shtoi diplomacia ruse.

“Këto hapa, të cilët synojnë të jenë fillimi i një politike të re properëndimore të Armenisë, justifikohen me të ashtuquajturat gabime të kryera nga Federata Ruse.”

Të dielën, kryeministri armen, Nikol Pashinyan, në mënyrë indirekte qortoi Moskën për mungesën e mbështetjes, duke i quajtur aleancat aktuale të vendit të tij, veçanërisht me Rusinë, “të paefektshme”.

Ushtria Azerbajxhane javën e kaluar korri një fitore të shpejtë ushtarake kundër Republikës së vetëshpallur të Nagorno-Karabakut, një territor me mbizotërim armen i dorëzuar Azerbajxhanit në vitin 1921 nga Bashkimi Sovjetik.

Enklava malore ka qenë më parë skena e dy luftërave midis Armenisë dhe Azerbajxhanit: e para nga viti 1988 deri në 1994 (30,000 të vdekur) dhe e dyta në vjeshtën e vitit 2020 (6,500 të vdekur).

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!