Moska akuzohet për gjenocid: Nëse prindërit nuk janë rusë, foshnjat në Luhansk do t’i marrim ne

schedule08:31 - 5 Maj, 2024

schedule 08:31 - 5 Maj, 2024

Rusia mund të kryejë akte gjenocidi në Ukrainë. Këtë e thotë Instituti Amerikan për Studimet e Luftës duke iu referuar një praktike të rrezikshme të ushtrisë së Putinit në rajonin e pushtuar të Luhanskut.

Sipas asaj që raportohet, forcat e Moskës kërcënojnë banorët e rajonit lindor të Ukrainës me marrjen me forcë të të sapolindurve nëse asnjëri prej prindërve nuk arrin të tregojë se posedon shtetësinë ruse. Instituti Amerikan për Studimet e Luftës thekson se kjo praktikë përbën shkelje të nenit 2 të Konventës për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit.

Kreu i Administratës Ushtarake të Luganskut, Artem Lysogor, njoftoi se nga e hëna e ardhshme nënat që lindin në spitalet e rajonit do të duhet të dëshmojnë shtetësinë ruse të të paktën njërit prej prindërve të të porsalindurit në mënyrë që i porsalinduri të lirohet nga spitali. Lidhur me trajtimin e fëmijëve, ekziston dhe një proces gjyqësor në Hagë kundër presidentit rus, Vladimir Putin, dhe një zyrtareje tjetër, që akuzohen për rrëmbimin e mijëra fëmijëve nga Ukraina gjatë luftës.

Për këtë është lëshuar dhe një urdhër-arrest në emër të Putinit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Por as kjo nuk e ka ndalur luftën. Raportohen për sulme të ndryshme në disa rajone të Ukrainës, ndërsa Moska pretendon se ka rrëzuar 4 raketa Atakams të lëshuara nga Kievi në drejtim të Krimesë së aneksuar.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëron se po afrohet një fazë e re e luftës, pasi Rusia pushtuese po përgatit një ofensivë. Ai kërkoi nga ushtria e tij dhe aleatët ndërkombëtarë që të bëjnë gjithçka për t’u bërë ballë këtyre veprimeve luftarake që pritet të zgjerohen në front.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!