Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij pas homazheve për ish kryeministrin Fatos Nano.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se do i mungojnë darkat e rralla miqësore me Nanon dhe këshillat që ai jepte.
Rama:Pas varrosjes së Partisë së Punës Fatos Nnao ishte kyç në kalimin e shkretëtirës prej socialistëve dhe në bashkimin e tyre me botën demokratike.
E kam kujtuar dje gëzimin e tij pas takimit, po në sallën e madhe bashkëngjitur, ku lajmëroi pranimin e Partisë Socialiste në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re. “Si dita e diplomës kjo sot”, – më tha duke qeshur.
Në krye të qeverisë së vendit atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtet ndërtimit nga zeroja pas katrahurës rrafshuese të vitit 1997, duke u përballur me një opozitë primitive, hakmarrëse, destruktive, deri në sulme të armatosura ndaj institucioneve dhe ndaj tij, personalisht, fizikisht.
Gjithsesi, kjo nuk është dita për të shkruar historinë e Fatos Nanos, por dita për t’i dhënë atij lamtumirën.
I dashur Fatos,
Do të më mungojnë darkat e rralla miqësore, komunikimi ynë si mes shoferit të turnit të parë me shoferin e turnit të dytë për të njëjtën makinë, ku e kuptonim njeri-tjetrin në ajër dhe ku, kur ndodhte të ndanim ndonjë dilemë strategjike, këshillat e tua vinin të qëruara mirë, duke më ndihmuar shumë për të vënë pikën mbi “i”.
Ndërkohë që kur mendoj se çfarë katër rrotaku sovjetik more ti në dorëzim në turnin e parë, me çfarë mjeti më të mirë mora unë prej teje në të dytin për ta kthyer PS në brandin e shpejtësisë për Shqipërinë europiane që është sot, më vjen krejt natyrshëm të mos të të them lamtumirë, por thjeshtë mos vdeksh kurrë Fatos Nano.


