“Mos i shikoni si krekosen, rusët sot janë më të dobët se kurrë”

schedule10:03 - 12 Janar, 2022

schedule 10:03 - 12 Janar, 2022

Nga Gideon Rachman “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos harroni informacionet bazë mbi që kanë sot rëndësi në Evropë. Rusia është e rrethuar! Armiqtë e vendit kanë avancuar deri në kufijtë e saj. Një aleancë armiqësore e NATO-s po kërcënon të përfshijë edhe Ukrainën, e cila është historikisht dhe shpirtërisht një pjesë e Rusisë.

Vladimir Putinit, si trashëgimtari i Pjetrit të Madh, Aleksandrit I dhe Josif Stalinit, i ka rënë barra që ta udhëheqë luftën e Kremlinit ndaj këtyre armiqve. Kjo është në përgjithësi narrativa që po propagandon qeveria ruse ndaj qytetarëve të saj, në fillim të një jave bisedimesh vendimtare me Perëndimin.

Moska ka grumbulluar qindra mijëra trupa në kufirin e saj me Ukrainën. Ajo kërcënon ta pushtojë fqinjin e saj perëndimor. Por pretendon se ky është një reagim mbrojtës ndaj zgjerimit të vazhdueshëm të NATO-s në lindje.

Dmitri Trenin, drejtor i “Carnegie Moscoë Center”, thotë se për Putinin “Ukraina është pengesa e fundit” për arritjen e synimeve të tij. Por narrativa e Kremlinit është e pakuptimtë. Nuk ka asnjë rrezik që NATO të sulmojë Rusinë.

Arsyeja pse kaq shumë vende iu bashkuan aleancës në vitet 1990, është sepse ata kanë frikë nga agresioni rus. Aktualisht nuk ka asnjë perspektivë realiste për anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.

Për rrjedhojë, çdo lëshim që mund të ofronte Perëndimi në negociatat e kësaj jave – në lidhje me dislokimin e trupave në terren apo zgjerimin e aleancës – nuk do të zgjidhte përfundimisht problemin e sigurisë së Vladimir Putinit. Kjo për shkak se kërcënimet reale për udhëheqësin rus janë të brendshme.

Vetëm një vit më parë, në mbarë Rusinë u zhvilluan protesta të mëdha në mbështetje të liderit të opozitës Alexei Navalny. Investigimet e tij të publikuara në platformën youtube, zbuluan jetesën super-luksoze së presidentit rus dhe miqve të tij.

Kremlini pretendon gjithnjë e më me forcë se të gjithë kundërshtarët e tij vendas janë “agjentë të vendeve të huaja”. Në fakt, ata janë kryesisht rusë të zakonshëm që nuk e pëlqejnë qeverinë aktuale, dhe që e dinë se zgjedhjet e manipuluara nuk ofrojnë asnjë shpresë për ndryshim.

Pas një përpjekjeje të dështuar për të vrarë Navalny, Kremlini e burgosi atë. Moska e mohon përfshirjen në tentativën për vrasjen e Navalny, por në fakt ai mbetet një kërcënim më i madh për Putinin sesa vetë NATO.

Duke e paraqitur veten si mishërim i nacionalizmit rus, Putini i ka ngatërruar kërcënimet ndaj sundimit të tij me kërcënimet ndaj kombit. Por siguria personale e presidentit rus dhe siguria kombëtare e Rusisë nuk janë e njëjta gjë. Gjithsesi, ekziston një lidhje midis problemeve të brendshme të Putinit dhe agresionit të tij të jashtëm.

Një luftë mund të krijojë një valë mbështetjeje nacionaliste për udhëheqësin rus. Më thelbësisht, të vetmen lloj qeverisjeje që mund të tolerojë Putin në kufijtë e Rusisë, është një autokraci e korruptuar që pasqyron vetë regjimin e Kremlinit.

Një demokraci e vërtetë, do të ofronte një model alternativ, që mund të inkurajonte më tej opozitën në Rusi. Një vend i lirë fqinj, do të kishte gjithashtu të ngjarë të largohej nga ndikimi i fortë i Kremlinit, duke u rreshtuar me Perëndimin.

Për këtë arsye, është në dorën e Amerikës që t’i japë ose jo Rusisë “sferën e ndikimit” të qëndrueshëm që kërkon Putini. Autokracitë e korruptuara që preferon Kremlini në periferinë e të tij, janë në thelb të paqëndrueshme për shkak të rezistencës sociale që provokojnë.

Mos harroni se ishte një revoltë popullore, ajo që e përmbysi një qeveri të korruptuar pro-ruse në Ukrainë gjatë viteve 2013-2014. Në mënyrë krejtësisht të papërshtatshme, Kremlinit i është dashur të dërgojë trupa ruse për të ndihmuar në shtypjen e trazirave në Kazakistanin fqinj, pikërisht në prag të bisedimeve SHBA-Rusi.

Kazakistani është një vend në të cilin të ardhurat mesatare janë rreth 570 dollarë në muaj, por ku familja e Nursultan Nazarbayev, i cili e sundoi këtë vend që nga viti 1991 kur shpalli pavarësinë dhe deri në vitin 2019, dhe që ka blerë prona në vende të huaja me vlerë të paktën 785 milionë dollarë.

Trazirat në Kazakistan, mund të kenë lidhje me përplasjet e brendshme brenda qarqeve qeverisëse. Por këto lloj problemesh janë të natyrshme për autokracitë e korruptuara. Nëse pasuria ndahet si pjesë e një sistemi korruptiv, çdo lloj aludimi mbi një ndryshim në udhëheqje krijon destabilitet.

Kjo dilemë mund të duket e njohur edhe për Putinin. Kazakistani nuk është i vetmi vend afër Rusisë, që është zhytur në trazira. Që nga zgjedhjet e vjedhura presidencialet të gushtit 2020 në Bjellorusi, diktatori vendas Alexander Lukashenko, e ka shtypur në mënyrë pa mëshirë opozitën vendase.

Tani Kremlini ndihet i detyruar të mbështesë qeveritë e Kazakistanit dhe Bjellorusisë, teksa vazhdon të kërcënojë se do ta pushtojë gjithë Ukrainën. Këto probleme ia vlen të kujtohen, në mesin e gjithë diskutimeve mbi fuqinë e pozicionit aktual të Rusisë në bisedimet e kësaj jave.

Në realitet, Rusia moderne është në mënyrë të rrezikshme shumë pranë përsëritjes së situatës së Bashkimit Sovjetik, e cila i mbajti fqinjët e saj “miqësorë” me të nëpërmjet pushtimit apo duke i frikësuar ata. Një luftë e shkurtër fitimtare, mund t’i japë një shtysë të përkohshme përpara Vladimir Putinit.

Por pushtimi i Ukrainës këtë vit 2022, nuk do të sigurojë përfundimisht mbijetesën e regjimit të Putinit, më shumë se sa pushtimi i Çekosllovakisë në vitin 1968 siguroi mbijetesën e Bashkimit Sovjetik. Madje në terma afatgjatë, një sulm ndaj Ukrainës do të përkeqësonte me siguri dilemën e sigurisë së Rusisë, dhe do të dobësonte ndjeshëm situatën e brendshme të Putinit.

Nëse lufta do të zgjaste shumë, viktimat nga radhët e ushtrisë ruse do të rriteshin. Po ashtu, një konflikt i armatosur me një vend të madh fqinj, do të dëmtonte seriozisht ekonominë ruse, dhe do të rriste izolimin ndërkombëtar të këtij vendi.

Një sulm rus ndaj Ukrainës, do t’i jepte NATO-s një sens të ripërtërirë të qëllimit të ekzistencës së kësaj aleance, dhe mund të nxiste vetë zgjerimin e ri të aleancës, për të cilin po ankohet aktualisht Rusia. Finlanda dhe Suedia po debatojnë për anëtarësimin e tyre të afërt në NATO, sepse janë të alarmuar nga gjuha dhe sjellja gjithnjë e më kërcënuese e Moskës.

Edhe nëse Rusia do të ishte në gjendje të instalonte një regjim kukull në Kiev, kujtesa e agresionit të Moskës do t’i jepte një shtysë historike nacionalizmit ukrainas, duke e çimentuar ndarjen emocionale midis Rusisë dhe Ukrainës, diçka që e frikëson shumë Putinin. Në përgjithësi, kjo do të ishte një lloj fitoreje e çuditshme për Kremlinin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!