Policia Kufitare në Morinë ka goditur një rast të tentativës për të kontrabanduar në Kosovë, mallra për të cilat paguhet akcizë. Gjatë kontrollit u sekuestruan mallra të ndryshme, me vlerë totale rreth 54 350 000 lekë dhe 2 automjetet ku u gjetën këto mallra.
Arrestohen në flagrancë 2 drejtuesit e automjeteve.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin 55-vjeç, u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme, disa arka me 41 000 tableta dhe 2 194 celularë, ndërsa gjatë kontrollit në furgonin me drejtues një 52 vjeçar u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë totale 930 kg.
Mallrat, me vlerë totale rreth 54 350 000 lekë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me 2 automjetet.
Të arrestuarit, të dy banues në Kukës, akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.



