Moriero: T’i marrim ndeshjet sikur luajmë në Champions, Shqipëria plot talente

schedule16:43 - 1 Mars, 2021

schedule 16:43 - 1 Mars, 2021

Trajneri i Dinamos, Francesco Moriero, vlerëson lart futbollin shqiptar dhe talentet në vendin tonë. Në një intervistë për ABC, italiani thekson se objektivi i skuadrës së tij është ngjitja në Kategorinw Superiore, ndërsa në Shqipëri ndihet si në shtëpinë e tij.

E arriti më në fund fitoren e parë dhe shpreson të mos jetë e fundit. Francesco Moriero pati një fillim të vështirë si trajner i Dinamos, pas humbjes me Erzenin në shtëpi, por suksesi në Vlorë ndaj Orikut mund të jetë një kthesë. Trajneri italian ka objektiv të ngjisë kryeqytetasit në Superiore, ndërsa ndodhen në vend të dytë në Grupin A të Kategorisë së Parë.

“Tani nuk është momenti për të ëndërruar. Në asnjë mënyrë. Tani vlejnë faktet, më pas do të kemi kohë të ëndërrojmë. Tani duhet të përballojmë ndeshjet njërën pas tjetrës sikur të ishin finale të Championsit, me këtë mentalitet, me mentalitetin e njerëzve punëtorë sepse nuk do të jetë e lehtë.

Ne nuk duhet të ulim në asnjë mënyrë vëmendjen. Nëse duam që të vazhdojmë ta shkruajmë këtë histori të vogël, jemi të detyruar të fitojmë gjithmonë. Duhet të luajmë futboll, ndërsa nëse kundërshtari na mund, le ta përgëzojmë”.

Personazhi i futbollit i ardhur nga Italia e kupton sesa përgjegjësi ka mbi super kur shprehet: “Është normale që prej nesh presin shumë, është normale që nga ne presin diçka ndryshe, por unë mendoj se ne kemi ardhur në një vend të ndryshëm nga Italia.

 

Kjo periudhë na ka ndihmuar sidomos që të mësojmë kulturën tuaj dhe të integrohemi, sepse një trajner nuk mund të vijë e të përmbysë gjithçka. Po përpiqemi dalëngadalë të mësojmë lojtarët me përvojën që kemi pasur si lojtarë dhe si trajnerë”.

Me kaq sa ka ndjekur, si e gjykon ish-ylli i Interit, nivelin e futbollit që po përjeton tani? “Kemi parë shumë ndeshje për të kuptuar se çfarë futbolli do të kemi përballë dhe duhet të them se kam parë skuadra shumë të mira dhe talente shumë të mirë. Ndoshta në Europë nënvlerësohet futbolli juaj, por unë kam mendim tjetër”.

 

Sa e vështirë është për një njeri të mësuar me Italinë dhe Serinë A, të përshtatet tek ne? Unë jam trajner që jetoj me futbollin 18 orë në ditë. Kur je në futboll nuk ka rëndësi se ku jeton, ndonëse duhet të them se Tirana është shumë e bukur, kjo është e vërteta.

Nuk më mungon asgjë nga Italia, kam gjetur miq këtu. Nëse bën punën që të pëlqen, nuk e ke problem. Është e vërtetë që më merr malli për familjen, por jemi mësuar. Kam 35 vjet në këtë profesion dhe jam mësuar t’i kem larg”.

Një pyetje edhe për ish-ekipin e tij, Interin, dhe garën për titull në Serinë A. “Mendoj se në fund do të jetë Interi që do ta fitojë titullin. Mendoj se Interi është skuadra më e formuar për ta fituar titullin këtë. Duhet të gjejë vetëm pak më shumë vazhdimësi.

Djeg shumë eliminimi nga Championsi sepse Interi mund t’i përballonte të dyja. Gjithsesi, edhe Milani është i fortë. Juventusi këtë vit ka nevojë për më shumë punë, edhe sepse ka ndërruar trajnerin dhe kur ndryshon trajnerin nuk është aq e lehtë”, mbylli Moriero. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!