Ilaix Moriba është shndërruar në një problem të pazgjidhshëm për Barcelonën dhe ngërçi vazhdon prej javësh. Mesfushori ka kërkuar largimin, ndërsa Barcelona e ka larguar edhe nga stërvitja, duke e dërguar në ekipin e dytë.
Kontrata e tij përfundon në verën e ardhshme dhe Barcelona nuk ka në plan ta aktivizojë në asnjë ndeshje në rast se nuk rinovon. Në këto kushte lojtari po shtyn të largohet, me Barcelonën që kërkon 20 milionë për blerjen e tij.
Së fundmi ka pasur komunikim mes palëve dhe Ilaix i ka komunikuar klubit se nuk dëshiron të kalojë te Tottenham dhe ka refuzuar ofertën e tyre. Dëshira e tij e vetme është të kalojë te Leipzig në Bundesliga. Barcelona është e qartë.
Laporta kërkon 20 milionë euro për lojtarin, ndryshe ai nuk largohet dhe nëse nuk rinovon, e kalon sezonin në tribuna. Oferta e parë e Leipzig ka qenë 6 milionë euro dhe është refuzuar menjëherë. Me ikjen e Sabitzer te Bayern, Leipzig mund të futet tërësisht në lëvizje për Moriban. /abcnews.al