Mori para me makinë efektivët e “Shqiponjave”, si i “shpëtoi” dënimit më të rëndë familjari i prokurores

schedule17:27 - 18 Shtator, 2021

schedule 17:27 - 18 Shtator, 2021

Drejtuesi i mjetit që aksidentoi 10 ditë më parë dy efektivë të forcave “Shqiponja”, në kryeqytet, sapo doli nga parkingu, lëvizi me shpejtësi dhe u fut në korsinë e gabuar.

Burime pranë grupit hetimor sqaruan për ABC se nga veprimet e kryera në vendngjarje, rezultoi se drejtuesi i mjetit “Volvo” nuk vuri re lëvizjen në rrugë të dy efektivëve me motor që po lëviznin gjatë shërbimit të tyre. Ekspertiza zbuloi se 40 vjeçari kreu lëvizje të gabuar në rrugë, duke goditur nga pas motorin e policisë.

Dy efektivët u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës me fraktura të rënda në trup. Pavarësisht plagëve të rënda, burime pranë bluzave të bardha pohuan për ABC se dy efektivët u nxorën nga spitali në 14 shtator, në rrethana ende të paqarta. Aktualisht ata janë në banesat e tyre duke u kuruar.

Dy policët e lënduar janë nxjerrë nga spitali i Traumës 7 ditë pas ngjarjes. Ky afat e klasifikon të lehtë plagosjen e tyre, sipas nenit 89 të kodit penal. Në këtë rast autori që ka shkaktuar plagosjen dënohet me gjobë deri në 2 vite burg.

Në rast të qëndrimit mbi 9 ditë në spital, plagosja do të klasifikohej e rëndë, ndërsa dënimi që do të parashikohej për këtë vepër penale është më i lartë.

40 vjeçari që shkaktoi aksidentin e dy policëve të shqiponjave, po hetohet i lirë për plagosje të lehtë. ABC mëson se drejtuesi i mjetit është familjari i një prokuroreje të njohur në qytetin e Elbasan. /abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!