Gjykata e Tiranës ka caktuar sot masën e sigurisë “Arrest me Burg” për Tire Alldervishin, sanitaren e spitalit “Shefqet Ndroqi” që u hoq si infermiere për të marrë rryshfet nga familjarët e një pacienteje me koronavirus.
Alldervishi akuzohet për mashtrim më shumë se një herë, ndërsa gjykata i ka bërë thirrje prokurorisë të kryejë hetime të thelluara.
Në pamjet e siguruara nga ABC, Tirja shfaqet e përlotur ndërsa gjyqtarja Rexhina Merlika i komunikonte masën e sigurisë.
Sipas prokurorisë hetime janë duke u kryer edhe për veprimtarinë e punonjësve të tjerë të spitalit, pasi ka dyshime nga aktet e deritanishme që mund të kemi një skemë të mirëfilltë zhvatje.
Deri më tani s’ka persona konkretë nën hetim, por do verifikohen nëse është veprimtari më e gjerë, kjo bazuar edhe nga mënyra se si komunikonte 59-vjeçarja dhe kërkesat për vlera monetare të ndryshme. Sipas akteve, shërbimi natën ka pas tarifë tjetër dhe ditën tjetër.
Me faktet e deritanishme, Tire Alldervishi, rezulton se me anë të gënjeshtrës ka përvetësuar vlera monetare. Më tej do bëhet sekuestrim i kartelave dhe dokumenteve të tjera në spital për të parë nëse ka implikime të tjera.
58-vjeçarja e spitalit Covid-2 është vënë në pranga ditën e djeshme, pas publikimit të disa pamjeve nga emisioni “Stop”, në të cilat duket se ajo ka marrë të paktën 8 milionë lekë të vjetra nga vajza e pacientes e cila më pas ndërroi jetë.
Nëna e vajzës që ka bërë kallëzim në Prokurori ishte shtruar tek COVID-2 më 28 nëntor të vitit që shkoi dhe ka ndërruar jetë po në këtë spital në datën 25 dhjetor. s.b/abcnews.al/