Merret peng 20-vjeçari/ Tiranë, tre persona në pranga në kërkim një tjetër

schedule16:33 - 20 Maj, 2024

schedule 16:33 - 20 Maj, 2024

Një 20-vjeçar është marrë peng të hënën nga 3 persona dhe është dhunuar brutalisht për disa orë. I riu I cili punonte në një kioskë të vendosur në sheshin Skënderbej, është marrë me forcë dhe më pas është lidhur duke e futur në një furgon malli. Nga dhuna, 20-vjeçari ka pësuar dëmtime të mëdha në kokë dhe në trup, ndërsa pas disa orësh është lënë në një cep rruge të kryeqytetit.

Për këtë ngjarje u arrestuan Denis Baxhaku 36 vjeç, dhe Ermand Hoxha 31 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim një 19-vjeçar, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Po ashtu për këtë ngjarje u arrestua shtetasi Teo Kolemiço 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Momentalisht, 20-vjeçari ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve, ndërsa kanë qenë këta të fundit që kanë njoftuar policinë. Pas marrjes në pyetje I riu ka bërë edhe kallëzimin për pengmarrje.

Sipas policisë, të arrestuarit dhe I shpalluri në kërkim, ishin menaxherë të një kioske ku ishte punësuar 20-vjeçari. Pasi kanë llogaritur xhiron ditore, të arrestuarit kanë konstatuar se mungonin disa para, dhe kjo ka qenë arsyeja e pengmarrjes dhe dhunimit të 20-vjeçarit.

Tashmë materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, ku ka nisur edhe një hetim për personat e përfshirë.

/abcnews.al