Moratti: Interi për titull, dora e Sarrit po fillon e duket. Lukaku? Lëreni të përshtatet

schedule11:16 - 7 Tetor, 2019

schedule 11:16 - 7 Tetor, 2019

Massimo Moratti beson fort tek Interi dhe e sheh ekipin e Contes për titull. Ish-presidenti zikaltër ka folur rreth sfidës së mbrëmjes së kaluar për Radio Anch’Io Sport.

Juventusi është një makineri e frikshme dhe Lukaku ka ende nevojë për t’u përshtatur. Moratti e cilëson goditje të madhe afrimin e Contes në stol, tregon dy lojtarët që po e surprizojnë dhe pranon se efekti Sarri po fillon e jep frytet e veta te kampionët e Italisë.

DUELI – “Shijuam një ndeshje të bukur, sidomos pjesa e parë. Ishte një sfidë emocionuese. Pjesa e dytë ishte e mërzitshme dhe Interi ra fizikisht. Sa i përket Lukakut, mendoj se duhet të përshtatet me futbollin italian. Ai ka nevojë për kohë për një gjë të tillë. Nuk krahasohet me Higuain për momentin.”

TITULLI – “Interi duhet të ketë vazhdimësi, por skuadra i ka karakteristikat e duhura për të luftuar për titull. Conte e ka forcën për t’i qëndruar afër ekipit dhe për t’i shtuar karakterin lojtarëve. Mendoj se ishte një goditje e bukur afrimi i tij. Sensi dhe Barella kanë ndryshuar lojën e skuadrës dhe të dy janë lojtarë të fortë.”

JUVENTUSI – “Bardhezinjtë kanë një skuadër shumë të fortë dhe janë kompetitiv. Dallohet ndryshimi në lojën e tyre. Sigurisht që baza e punës së Allegrit është aty, por aksioni i golit të dytë ishte fantastik. Mendoj se po fillon të bie në sy dora e Sarrit.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!