Monolog nga Erion Kristo: Ne sillemi keq me kafshët, i keqtrajtojmë dhe ende s’kemi kulturë

schedule21:49 - 16 Korrik, 2021

schedule 21:49 - 16 Korrik, 2021

Monolog nga Erion Kristo

Në shumë vende të botës, njerëzit e kalojnë kohën duke parë video me qen e me mace. Ndërsa ne e kalojmë kohën duke parë video me sherr e shamata. Kafsha është një krijesë e mrekullueshme. Ajo është bashkudhëtare e njeriut dhe jo thjesht në shërbim të njeriut. Është pjesë e pikturës, jo pluhur në kornizë. Por ne sillemi keq me kafshët. Në shumë dimensione. Ende nuk kemi krijuar një kulturë. Ne i keqtrajtojmë. Dhe ligj ka, po nuk zbatohet. Gjithsesi, kafsha ka hyrë fuqishëm në jetën tonë. Ka sektorë të veçantë me ushqim për to në markete. Gjurmët e kalimit të tyre i gjen nëpër të gjitha trotuaret.

Nuk mund të pengojmë askënd, në një epokë demokratike, të përdorë paratë e portofolit sipas oreksit të vet. Por disa gjëra mund të thuhen:

Mos e nxisni industrinë e prodhimit të kafshëve, sepse shpesh kjo industri është antikafshë. Kujdesuni për kafshët e braktisura, sepse aty duket dashuria e vërtetë për kafshët. Duajeni njeriun, megjithëse është i padrejtë dhe i pabesë. Ka shumë raste kur ka njerëz të drejtë dhe me gjykim. Adhurimi i takon vetëm Zotit. Duajeni kafshën, por mos e ktheni në fëmijën tuaj, sepse nuk është. Mbroni të drejtat e kafshëve, por mbi të gjitha të drejtat e njerëzve.

Mbani nga një qeskë me vete kur shëtisni qenin se nuk ju prishet xhepi i pantallonave. Dhe mblidhini të pëgërat e tyre se kështu e kërkon ligji dhe morali. Dhe mbi të gjitha, mos i mallkoni njerëzit që nuk i pëlqejnë kafshët. Thjesht edukojini ata. Mendoni që dhe ju vetë keni nevojë për edukim lidhur me kafshët, se ndonjëherë i tërboni dhe i trajtoni si njerëz, duke u festuar ditëlindje dhe duke harxhuar qimet e kokës. Por unë them se njeriu mund të mësojë nga kafshët një mori gjërash. Ato janë si kalibra që të kalibrojnë sjelljet tona. Ne nuk jemi të vetëm në këtë planet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!