Monitorim me dron nga ajri, gjobiten 688 qytetarë në Berat

schedule13:47 - 24 Janar, 2021

schedule 13:47 - 24 Janar, 2021

Në 3 javët e para të këtij viti janë vendosur 688 gjoba për shkelje të Kodit Rrugor dhe 247 gjoba për mosvendosjen e maskës.

Policia Beratit bën me dije se ka shtuar postblloqet në rrugët e qytetit, për parandalimin e aksidenteve dhe respektimin e rregullave të qarkullimit.

Ndërkohë po në këtë qytet nga policia janë ndëshkuar me gjoba gjatë 3-javëve të para të këtij viti 247 qytetarë, të cilët nuk kanë zbatuar masat anti-Covid.

Sipas uniformave blu të Beratit, 237 prej tyre janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili për mosvendosjen e maskës mbrojtëse dhe 10 qytetarë janë gjobitur me 10.000 lekë secili, për mosrespektimin e orarit të lejuar të lëvizjes pas orës 22:00 të mbrëmjes.

Nga ana e specialistëve të Qarkullimit Rrugor, për shkak të shtimit të aksidenteve në rrugë, janë shtuar këto javë edhe kontrollet në të gjitha akset në qytet dhe në dalje të Beratit, për të siguruar zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Po ashtu janë ushtruar kontrolle të shumta në të gjitha akset rrugore të qarkut duke monitoruar nga ajri me dronë, jo vetëm për menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve rrugore, por dhe për evidentimin, verifikimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që kryejnë parakalime të gabuara.

Konkretisht, gjatë 3-javëve të para të këtij viti sipas policisë janë vendosur 688 masa administrative, prej të cilave 506 janë masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor,122 masa për parakalime të gabuara dhe 60 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

/abcnews.al/