Mongolia nuk zbatoi urdhër arrestin për Putinin, avokati Petraj: Gjykata e Hagës mund ta raportojë çështjen në Këshillin e Sigurimit

schedule13:46 - 5 Shtator, 2024

schedule 13:46 - 5 Shtator, 2024

Avokati Edmond Petraj në një intervistë në “News Hour” në ABC News, komentoi vizitën e presidentit rus Vladimir Putin në Mongoli. Rasti mori vëmendje për shkak se Mongolia nuk ekzekutoi urdhër arrestin për Putinin.

Avokati Petraj tha se çdo vend që ka firmosur statusin e Romës ka për detyrë ta zbatojë, ndërsa shtoi se mund ta raportojë çështjen në Këshillin e Sigurimit.

“Gjykata ndërkombëtare penale është institucion i përhershëm për të ndjekur penalisht individë për krime të rënda. Dhe është krijuar në bazë të statutit të Romës, një traktat ndërkombëtar dhe selia ndodhet në Hagë në Holandë. Roli i saj është ndalimi i pandëshkueshmërisë, synon të parandalojë pandëshkueshmërinë edhe të zyrtarëve të lartë. Pjesa tjetër ka të bëjë me juridiksionin. Po ashtu kemi të bëjmë me ndjekjen penale, gjykata e Hagës nuk ndjek shtete apo organizata, ka një lloj specifike brenda në statutin e saj. Ka në vendim për ndjekje penale që mund të veprojë nëse sistemet gjyqësore kombëtare nuk mund apo nuk duan të ndjekin. Sa i përket urdhër arrestit të zotin Putin, në mars të 2023 gjykata ndërkombëtare lëshoi urdhër arresti për presidentin rus. Pra Rusia nuk është palë në statutin e Romës dhe ka mohuar juridiksionin e saj. Rasti i Mongolisë, regjistron një problem të rëndësishëm nga gjykata e Hagës. Mongolia ka refuzuar te ekzekutojë urdhër arrestin, në raste të tilla gjykata e Hagës, mund ta raportojë çështjen në Këshillin e Sigurimit. Nga ana tjetër gjykata e Hagës mund të ushtrojë presion moral dhe diplomatik mbi vende që nuk i zbatojnë këto vendime”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera shtoi se arrestimi i Vladimir Putin, në rastin kur Mongolia është një shtet nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik dhe para disa vitesh ka krijuar një raport bashkëpunimi, nuk është aspak e thjeshtë.

“Rusia është ndoshta një nga shtetet më të fuqishme të botës sot, me presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe ajo sot nuk ndihet në vështirësi financiare edhe pas shumë barrierave që i janë vendosur”, tha më tej ai.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!