Rodrygo po shijon një moment magjik. 19-vjeçari i Real Madrid debutoi si titullar në Champions kundër Galatasarayt, shënoi në debutimin në “Santiago Bernabeu” përballë Leganes dhe u thërrit nga Tite te Brazili.
Anësori ofensiv ka dhënë një prononcim për Esporte Interativo, aty ku flet për situatën fantastike që po përjeton dhe raportin me Zinedine Zidane.
MOMENTI MAGJIK – “Jam shumë i lumtur, nuk mund të pretendoja më shumë se kaq. Kam realizuar ëndrrën time. Do mjaftohesha edhe me disa minuta aktivizim, por Zidane më zgjodhi titullar kundër Leganesit. Besoj se e shfrytëzova mundësinë dhe diçka të tillë e vërteton thirrja në kombëtare”.
ZIDANE – “E di që duhet të punoj fort dhe të mësoj shumë. Zidane na ka thënë që do të ketë nevojë për të gjithë ne, thjeshtë duhet të shfrytëzojmë shanset tona. Kur e takova në fillim trajnerin u tremba, por ai më ka trajtuar për mrekulli dhe më ka mësuar shumë.
U dëmtova në fillim të sezonit, ndodhesha në humor të keq dhe isha afër rënies në depresion. Trajneri vinte çdo ditë, bisedonte me mua dhe përpiqej të më ngrinte moralin. Ka qenë shumë e rëndësishme të isha pozitiv në aspektin psikologjik gjatë rikuperimit. Zidanë më dha shumë besim dhe u ktheva më i fortë”. /abcnews.al