Momenti i Brojës te Shqipëria, Reja piketon edhe talentin e Superiores

schedule16:41 - 5 Mars, 2020

schedule 16:41 - 5 Mars, 2020

Trajneri i kombëtares, Edi Reja, mund të ftojë talentin e ri të Chelsea, Armando Broja, në miqësoret e këtij muaji. Sulmuesi 18-vjeçar po shkëlqen me Blutë e Londrës.

Për momentin e ka të pamundur të udhëtojë. Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, është një “i burgosur” në Veneto të Italisë për shkak të epidemisë së koronavirusit, por gjithsesi ai beson se do të jetë i gatshëm për miqësoret e marsit, ndërsa ka edhe disa plane.

Pavarësisht se nuk pati mundësi të ishte i pranishëm në shortin e edicionit të ri të Nations League, me flurimet ajrore të ndaluara, burime në Federatën Shqiptare të Futbollit informojnë se italiani nuk e ka humbur kontaktin me realitetin e kombëtares.

 

Edoardo Reja

Me gjasë, ai do të ftojë në ekip talentin e Chelsea, Armando Brojën, dhe kjo për ta provuar në miqësoret e 27 marsit ndaj San Marinos dhe të 30 marsit kundër Sllovenisë. Broja po dallohet gjithnjë e më shumë te londinezët, duke luajtur për ekipin U23, ndërsa është vetëm 18 vjeç.

Jo më kot, trajneri i ekipit të parë, Frank Lampard, i ka dhënë kontratën si profesionist. Besohet se Reja dëshiron jo vetëm ta provojë Brojën, por edhe ta lidhë me Shqipërinë, sepse aktivizimi do ta bënte të pamundur që ai të kalonte në ndonjë kombëtare tjetër.

 

Ernest Muçi

Italiani, ndërkaq, nuk ka qenë me fat për dy lojtarët e piketuar prej tij në Superligën shqiptare. Esat Mala është një nga të preferuarit e tij, por futbollisti polivalent i Partizanit nuk është aktivizuar për shumë muaj, për shkak të konfliktit të tij me klubin.

Ernest Muçi është i piketuari tjetër, por edhe talenti i ri i Tiranës ka luajtur pak këto kohë, pavarësisht se ishte autor i dy golave në derbin e fituar ndaj Partizanit. Nuk dihet nëse Reja do të bindet për të grumbulluar sërish në kombëtare lojtarë të tillë si Myrto Uzuni që luan në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit, apo Endri Çekiçin që po shkëlqen në Slloveni me Olimpija e Ljubjana. Deri tani, ai i ka anashkaluar ata. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!