EKSKLUZIVE/ Vrau njeriun e Vis Martinajt, momenti i arrestimit të Ilir Selmanit në Tiranë

schedule16:22 - 16 Prill, 2020

schedule 16:22 - 16 Prill, 2020

Efektivët e komisariatit nr.2 në Tiranë arrestuan pak orë pas mesditës së sotme Ilir Selmanin, i dyshuar për ekzekutimin e Santjago Malkos në gusht të vitit 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në kryeqytet. Malko njihet si personi i afërt i Ervis Martinajt.

Bashkë me Selmanin është arrestuar edhe një shoku i tij. Për të njoftohet se nuk ka akuzë, por thjesht është ndaluar.

Selmanit iu kap një pistoletë me fishek në fole, pasi ishte vëzhguar prej disa kohësh nga policia.

Këta të fundit kanë ndërhyrë në një moment që e kanë vlerësuar si të volitshëm duke kryer arrestimin e shpejt të tij.

Gazetarja Xhensila Kodra ka siguruar ekskluzivisht për abcnews.al pamjet e arrestimit të Selmanit në rrugë ku duken dy efektivë të policisë që prangosin të shumë kërkuarin.

Lexo edhe: Po ndiqej prej muajsh, pistoleta gati për të qëlluar: Si u kap “gafil” Ilir Selmani tek “Xhamlliku” në Tiranë

Selmani dyshohet se mori pjesë në ekzekutimin e Santjago Malkos duke drejtuar njërën prej makinave që bënë ndjekjen e tij, ndërsa më pas është kapur nga kamerat e sigurisë duke mbledhur bishtat e cigareve të konsumuara nga Blendi Teta, edhe ky pjestar i klanit Duka sipas prokurorisë.

Ndërkohë gazetarja Glidona Daci raporton duke iu referuar dosjes së prokurorisë së Malko po ndiqej prej ditësh nga klani Duka për t’u ekzekutuar, por ata nuk kanë qëlluar pasi lëvizte me makinë të blinduar.

Malko ka qenë ditën e ekzekutimit në spitalin Pediatrik ku dërgoi djalin e sëmurë duke lëvizur me një makine normale dhe jo të blinduar. Ky ka qenë momenti kur ata kanë ndërhyrë duke qëlluar me një breshëri të gjatë ndaj tij duke i shkaktuar vdekjen.

Të akuzuarit dhe rolet:

Leonard Duka dhe Erlis Duka, vëllezër me njëri-tjetrin, janë pronarë të një lokali në zonën e “Freskut” ku dyshohet se është thurur plani për vrasjen e Malkos. Të dy dyshohet se ndoqën dhe ekzekutuan më 27 gusht në rrugën ‘Xhanfize Keko’, Santiago Malkon, ish-oficer policie.

Ata kanë lëvizur me dy makina, konkretisht në automjetin tip ‘Scoda Roomster’ kanë qenë të ulur këta persona Ilir Selmani, i cili drejtonte këtë automjet, në vendin e parë Blendi Tetaj, i cili është tashmë i arrestuar me akuzën për moskallëzim krimi, Leonard Duka dhe Ervis Metani, ky i fundit i larguar pak minuta para se të ndodhte ngjarja.

Këta persona kanë bërë disa lëvizje. Ndërkohë që në automjetin tip ‘Volkswagen’, golf janë ndodhur Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga, Dritan Aga dhe Fatmir Hyseni. Ata fillimisht kanë lëvizur nga zona e Freskut, pasi kanë darkuar në fakt, në drejtim të banesës së Santiago Malkos pas shumë ecejakesh në atë zonë dhe disa rrugica.

Në dosjen hetimore thuhet se Leonard Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre. Ata janë kthyer dhe janë ndaluar në rrugën ‘Xhanfize Keko’ ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko. Këtë dëshmi e ka dhënë shtetasi i arrestuar Blendi Teta, i cili nuk është gjendur në momentin e ngjarjes që ishte larguar pak minuta para ngjarjes dhe ka qenë i fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij. Ndërkohë që Ervis Metani rezulton i përfshirë vetëm për faktin se automjet ‘Golf 5’ është në pronësi të këtij shtetasi.

Sa i përket motivit, Santiago Malko ka pasur një debat dhe një konflikt të hershëm me Leonard Dukën, i ka kërcënuar me armë babain dhe dy kushërinj. Megjithatë nuk është ky motivi përfundimtar. Prokuroria është duke hetuar në disa pista, si konflikte për shkak të trafikut të drogës apo ngjarje të tjera kriminale.

Gjithashtu prokuroria e Tiranës më herët ka hetuar rreth një ngjarje të rëndë të ndodhur së fundmi në qytetin e Durrësit. Megjithatë janë edhe mjaft pista të tjera të hapura që janë duke u verifikuar për të arritur edhe në një konkluzion final lidhur me arsyet se përse këta persona vendosën të ekzekutonin Santiago Malkon.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!