Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Momentet e vështira, ofertat dhe Kosova: rrëfehet “korçari” Jashanica

schedule14:08 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 14:08 - 17 Dhjetor, 2019

Bajram Jashanica mezi po e pret muajin shkurt, që të mund të rikthehet në fushë. I përfundon dënimi i dhënë nga UEFA për doping dhe gjasat janë që të largohet nga Skënderbeu. Qendërmbrojtësi ka dhënë një intervistë për “Zëri” në Kosovë dhe flet për periudhën e vështirë që ka kaluar, besimin e madh për t’u rikthyer në formën e mëparshme, ofertat që ka në Superiore dhe më gjerë. Në fokus edhe Kosova, që synon kualifikimin në EURO 2020 përmes Nations League.

VUATJA E DËNIMIT – “Pjesa më e errët në karrierën time ka qenë kjo periudhë dyvjeçare. Lutem që asnjë lojtari të mos i ndodhë. Një pakujdesi e tillë mund ta ndryshojë karrierën. Jam ndier shumë keq, ka qenë shumë e vështirë kjo periudhë për mua dhe me këtë rast dua ta falënderoj shumë bashkëshorten time. Ajo gjithmonë më ka mbështetur dhe më ka qëndruar pranë. Të mos luash për dy vjet është shumë e vështirë. Në shkurt të vitit 2020 e përfundoj dënimin, ka mbetur edhe pak kohë”.

PIKA E KTHESËS – “Ka qenë një periudhë ku po kaloja formën më të mirë, me Skënderbeun dhe Kosovën. Besoj se e kam dhënë më të mirën dhe jam munduar të përmirësohem në çdo ndeshje. Një lojtar profesionist duhet të ketë vazhdimësi në formën e tij. Po bëhesha gati të transferohesha jashtë vendit, por ndodhi ajo që ndodhi. Ata që më njohin mua e dinë se unë nuk dorëzohem lehtë. Kam karakter të fortë dhe jam munduar që ta kaloj këtë periudhë. Kam menduar se mundem  të rikthehem, ndoshta edhe më i fortë”.

OFERTAT – “Po pres që të mbarojnë edhe këto ndeshjet e fundit në kampionat, pastaj do të bisedoj me klubin për ta vendosur të ardhmen. Nuk përjashtohet mundësia të transferohem në ndonjë ekip tjetër. E thashë edhe më herët: jam njeri që nuk dorëzohem. Përderisa kam oferta, dihet se kam bërë diçka në futboll, kam lënë gjurmë. Mendoj se falë asaj pune që e kam bërë më parë, tashmë do të vijë shpërblimi për t’u kthyer edhe më i fortë. Kam oferta në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni Veriore. Edhe Kosova mund të jetë mundësi. Kosova po përparon çdo vit dhe po bëhet një kampionat i fortë”.

KOSOVA – “I kam shikuar ndeshjet e Kosovës dhe futbollistët kanë bërë një punë të mirë. Normalisht edhe stafi, trajnerët dhe të gjithë. Jam shumë krenar me Kosovën dhe me pak më shumë fat Kosova do të kualifikohej direkt në EURO 2020. Edhe nga Liga e Kombeve kemi mundësi të kualifikohemi, edhe pse ndaj Maqedonisë Veriore do të jetë shumë vështirë. Kam besim se do të fitojmë. Kryesorja është që e kemi një ekip të mirë”, thotë Jashanica, i cili si objektiv ka rikthimin në fushë dhe më pas sigurisht që e pret një ftesë nga përfaqësuesja dardane. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!