Molliqaj reagon pas lirimit: Ndaj një proteste paqësore, pushteti përdori policinë

schedule14:10 - 16 Shkurt, 2022

schedule 14:10 - 16 Shkurt, 2022

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas shoqërimit për 48-orë në stacion të policisë.

Molliqaj ka shkruar në Facebook se protesta e së hënës në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë ishte paqësore, por sipas tij, pushteti e përdori policinë kundër kësaj proteste.

“Ndaj një proteste paqësore që synim kishte zbardhjen e mashtrimit për rritjen e çmimit të energjisë, pushteti përdori policinë. Ndaj protestuesve që u nxorën me dhunë, pushteti urdhëroi mbajtje 48 orëshe pa ekzistuar asnjë rrethanë ligjore për një vendim të tillë. Pyetjeve tona se sa është rritur çmimi i rrymës e sa fiton KEDS-i në krejt këtë krizë, pushteti iu përgjigj me dhunë e disiplinë”, ka shkruar Molliqaj.

Kreu i PSD-së ka deklaruar se nën arrest po mbahen ende Nol Nushi dhe Genc Sherifi.

“Vendimeve të padrejta dhe thellimit të pabarazisë, Qeveria Kurti po i përgjigjet në mënyrën më tipike për pushtetet me mendësi autoritare: dhunë e disiplinim. Pas 48 orësh izolim, u liruam të gjithë. Pa ndërruar asnjë rrethanë. Ndërkohë që prokuroria po mban ende nën arrest Nol Nushin dhe Genc Sherifin, në një farsë gjyqësore pa asnjë kuptim ligjor”, ka shkruar Molliqaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!