Nga Roland Beqiraj
Sot nuk punuan. Nxorrën traktorët në rrugë në shenjë proteste për rritjen e çmimit të naftës dhe plehrave kimike. Dhjetëra fermerë të zonës së Devollit u mblodhën në hyrje të qytetit të Bilishtit nga ku thanë se po shkojnë drejt falimentimit.
“Fermerët në këto kushte janë në pamundësi të vazhdojnë punën kemi dy dhe trefishim të imputeve bujqësore. Qeveria ju shtoi dhe 10% tvsh imputeve bujqësore, skema e naftës kanë përfituar vetëm 1 e 5 e fermerëve”.
Shtojnë se qeveria ju preu në besë.
“U premtua që subvencionet do jepeshin njësi për kg apo për litër, por asnjë nga këto premtime s’u përmbush që do të thotë se ministrja e bujqësisë ka gënjyer fermerët në mënyrë flagrante”.
“Kundërshtoj ministren e bujqësisë që reklamon fondin për mbështetjen e fermerëve, fondi është më I madh në shifra, vjet ka qenë 7 milionë euro, këtë vit është 26 milionë euro. Por nuk përmend që është 6% në janar 2022, mbi 60 milionë euro para publike që injektoheshin në bujqësi dhe është shtuar dhe 10 milionë nga 10% i TVSH të imputeve bujqësor. Pra ka shtuar 18 milionë euro dhe ka hequr 70 milionë euro”.
Rritja e çmimit të imputeve po i detyron fermerët të shkulin pemëtoret apo të lenë tokat djerrë pasi nuk përballojnë dot kostot dhe nuk po gjejnë treg për shitje.
“Kam 2 hektarë mollë, kam shitur gati çerekun e prodhimin Shumë fermerë po presin pemtoret, ta rritësh si fëmijë dhe ta presësh është skandal i madh”.
Veç fermerëve shqetësim për mungesën e tregut kanë edhe grumbulluesit e mollëve të cilët i janë bashkuar protestës.
“Nëse digjemi edhe këtë vit ne vitin që vjen do i mbyllim frigoriferët. Të gjithë na kërkojnë lekët ne i hedhim dhe mbeturinat e grekut i fusin këtu, ne kur bëjmë një eksport e bëjmë me vështirësi i gjej tregtarët në Egjipt por shteti s’bën kontrata për eksport dhe e bëjmë përmes Greqisë”.
Përballë pamundësisë për të siguruar të ardhura për të ushqyer familjet një pjesë e fermerëve po mendojnë të braktisin vendin.
“Fermerët janë gjysma e shoqërisë po ikën dhe I bie që ikën gjysma e konsumatorëve. Sot kanë zbritur në Rinas punëtorët e parë nga Nepali, se pagesat këtu janë të ulëta dhe nuk gjejnë më punëtore. Pritet të shkojë dhe më keq”.
Nëse nuk do ketë reagim nga qeveria, fermerët e Devollit paralajmërojnë përshkallëzim të protestave deri në bllokimin e rrugëve nacionale. /abcnews.al