Shqipëria luan sot në mbrëmje në transfertë kundër Moldavisë, një sfidë ku nuk mendohet asgjë tjetër veç fitores. Djemtë tanë kuqezi janë favoritë në letër, përballë një rivali modest. Të besuarit e Edoardo Rejas vijnë nga një humbje ndaj Turqisë 1-0, por në Stamboll, bënë një ndeshje të madhe. Si Reja, ashtu dhe kapiteni Memushaj, thanë në konferencë për shtyp se do të shikojmë të njëjtën Shqipëri edhe kundër Moldavisë.
Për të pasur një pasqyrim të saktë të diferencave mes dy skuadrave, statistikat nuk gënjejnë, dhe të gjitha flasin në favor të Shqipërisë. Moldavia ka kaluar disa vite totalisht për t’u harruar. Përveç fitoreve kundër Andorrës dhe San Marinos, kombëtarja moldave nuk fiton që nga maji i 2014-ës. Në këtë periudhë kohorë, numërojnë 32 humbje dhe 15 barazime.
11 nga 15 fitoret e fundit të Shqipërisë, janë fituar me rrjeta të paprekura, çka pasqyron mbrojtjen e fortë që kuqezinjtë tanë kanë. Cikalleshi është lojtari më në formë te kuqezinjtë tanë, pasi ka shënuar tre gola në katër ndeshjet e fundit. Në tre takimet e fundit mes Moldavisë dhe Shqipërisë, kuqezinjtë tanë i kanë fituar të gjitha./abcnews.al