Mogherini me 6 kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor

schedule22:12 - 18 Dhjetor, 2017

schedule 22:12 - 18 Dhjetor, 2017

Përfaqësuesja e Lartë për punët e jashtme dhe politikës së sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini ka zhvilluar një takim pune me kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Zyrtarja porositi krerët e qeverive se “Viti 2018 përbën një mundësi unike për përparimin e tyre në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”.

“Viti 2018 përbën një mundësi unike për përparimin e vendeve të Ballkanit në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”. Kjo ka qenë kryefjala e darkës së punës që përfaqësuesja e lartë për punët e jashtme dhe politikës së sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini ka artikuluar me 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të ftuar në Bruksel. Viti 2018 është viti i fundit i mandatit të Komisionit Juncker, ndaj ekzekutivi europian synon të bëjë maksimumin për t’i dhënë stimul procesit të integrimit të rajonit. Federica Mogherini është përkujdesur ta kalojë këtë mesazh gjatë bilateraleve të shkurtra që ajo ka zhvilluar me çdo kryeministër të Ballkanit. Për kryeministrin e shqiptar Edi Rama dhe atë të Maqedonisë, Zoran Zaev, Mogherini ka treguar predispozimin pozitiv të Komisionit Europian për një rekomandim për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE në 2018, duke theksuar se nevojiten rezultate të mëtejshme konkrete në reformat kyçe që ky predizpozim të kthehet në realitet.

Për Malin e Zi dhe Serbinë, përfaqësuesja e lartë e BE-së është shprehur, se Bashkimi Europian është i gatshëm të hapë dhe të mbyllë kapituj të tjerë të negociatave të anëtarësimit. Por për Serbinë, një kusht i pandashëm i BE-së mbeten edhe bisedimet Prishtinë-Beograd, ku Serbia dhe Kosova priten të bëjnë progres të mëtejshëm. Edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush haradinaj i është përcjellur ky mesazh kyç për bisedimet Prishtinë-Beograd, me shpresën që qeveria e Kosovës të mund të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi në fund të vitit për ta bërë realitet liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Për Bosnjën, Federica Mogherini ka përkujtuar, se vendi duhet të vazhdojë reformat për një opinion pozitiv të Komisionit Europian lidhur me aplikimin për statusin e kandidatit. Federica Mogherini ka rikonfirmuar, së fundmi vendosmërinë e Bashkimit Evropian , që të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë përpjekjet për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm, në mënyrë që t’a bëjnë të pakthyeshëm përparimin e tyre drejt Bashkimit Evropian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!