Mobilizimi ushtarak, rusët ikin masivisht nga vendi. Radhë të gjata makinash

schedule07:34 - 23 Shtator, 2022

schedule 07:34 - 23 Shtator, 2022

Burrat dhe djemtë rusë po përpiqen të largohen nga vendi për të shmangur thirrjen ushtarake për luftën në Ukrainë.

Radhët janë krijuar në pikat kufitare që kur Presidenti Vladimir Putin njoftoi mobilizim të pjesshëm ushtarak të mërkurën, ku mund të thirren 300,000 njerëz për të luftuar.

Kremlini thotë se raportet për arratisjen e burrave në moshë luftimi janë të ekzagjeruara, raporton BBC.

Por në kufirin me Gjeorgjinë, janë krijuar radhë të gjata automjetesh duke përfshirë burra dhe djem që përpiqen t’i shpëtojnë luftës.

Disa nga ata që shkojnë në vendin fqinj kanë përdorur biçikleta për të anashkaluar linjat e makinave dhe për të shmangur ndalimin e kalimit në këmbë.

Një prej tyre, i cili nuk donte të identifikohej, i tha BBC-së se kishte pritur që nga ora 09:00 me orën lokale (05:00) të enjten dhe arriti të kalonte vonë atë mbrëmje.

Një tjetër burrë raportoi një pritje 12-orëshe, duke përmendur mobilizimin e pjesshëm si arsye për t’u larguar nga Rusia për të vazhduar studimet.

“Do të thyej krahun, këmbën… çdo gjë për të shmangur draftin”, tha ai.

Gjeorgjia është një nga vendet e pakta fqinje ku rusët mund të hyjnë pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë. Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë, kërkon një vizë për udhëtim dhe gjithashtu raportoi një rritje të trafikut gjatë natës, por tha se ishte në një nivel të menaxhueshëm.

Destinacione të tjera të arritshme me ajër, si Stambolli, Beogradi ose Dubai kanë rritur çmimet e biletave menjëherë pas shpalljes së thirrjes ushtarake. Mediat turke kanë raportuar për një rritje të madhe të shitjeve të biletave me një drejtim, ndërsa fluturimet e mbetura drejt destinacioneve pa viza mund të kushtojnë mijëra euro.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë sinjalizoi të enjten se rusët që ikin për shkak të urdhrit do të ishin të mirëpritur në vendin e saj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!