Meta e kallëzoi në SPAK, Gjonaj: Jam gati t’i përgjigjem! Koha që drejtësia të veprojë

schedule16:55 - 24 Shkurt, 2020

schedule 16:55 - 24 Shkurt, 2020

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka reaguar pasi Presidenti Ilir Meta dorëzoi sot në SPAK kallzim penal për këtë të fundit.

Ministrja mes të tjerash shprehet se  është e gatshme që të përgjigjet para cdo institucioni, por sipas saj pavarësisht absurditetit të kësaj historie, mbetet me rëndësi që Presidenti ka bërë hapin e duhur, njohjen e institucioneve e reja të Reformës në Drejtësi.

Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushit.

Pak minuta pas deklaratës së ministres, Blushi shkruan në një status në Facebook: “Edhe falsifikatore edhe krenare! Ti qofsh moj çupë!”

Reagimi i Etilda Gjonajt:

Sikur të mos i mjaftonte politika e dëshpëruar e dhunës verbale, sot Kreu i Shtetit ka gjetur kohën të paraqitet personalisht me të gjithë stafin e tij në zyrën e sekretarisë të SPAK, për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj meje dhe stafit tim.

Në respekt të Kushtetutës dhe pozicionit tim zyrtar me Presidentin, reagimi im do jetë institucional kundrejt akteve të tij. E siguroj se jam gati t’i përgjigjem jo vetëm SPAK-ut ligjërisht po dhe atij vetë publikisht, institucionalisht dhe ligjërisht, me kulturë dhe etikë.

Pavarësisht absurditetit të kësaj historie, mbetet me rëndësi që Presidenti ka bërë hapin e duhur, njohjen e institucioneve e reja të Reformës në Drejtësi të cilën ai u lodh aq shumë duke e luftuar dhe përbaltur atë dhe cilindo që punon me të, shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Shpresoj që të pranojë punën e tyre edhe ditën kur drejtësia e re dhe SPAK të filloj të godasë në shenjat e njohura botërisht si njolla të Shqipërisë, politikanë dhe zyrtarë të lartë të njohur për korrupsionin dhe krimet e tyre në këtë vend. Koha që drejtësia të veprojë!

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!