PUKË– Qindra çifteli, lahuta, sharki dhe lauri kanë dalë nga duart e këtij ish mësuesi të gjuhës shqipe dhe letërsisë.
“Gjithçka mbi folklorin është ndërtuar, violina që është mbreti i veglave muzikore në botë fillimisht ka qenë lahutë”
Prej rreth 48 vitesh Gjelosh Alia nga Puka mban gjallë traditën e çmuar të prodhimit të instrumenteve muzikore tradicionale shqiptare.
Pjesë e ceremonive dhe festave kryesisht në zonat e veriut të vendit ndër shekuj.
“Në këtë argëtim kemi pas në male, një çifteli, një lahutë dhe dikush një pushkë me leje, te oxhaku. Që në moshën 21 vjeç kam filluar të merrem me çifteli, pastaj me lahuta, sharki. Vjedhja është pak në këtë zanat, dëshira më ka mësuar”, tha ai.
Laton me kujdes instrumentet muzikore dhe synon përsosmërinë në çdo detaj.
” Do shumë durim, se ja për shembull, je duke punuar një goditje gabim iku, ke punuar 3 orë, pam u ça, rregullohet, por ikën ai qejfi. Procesi më i vështirë është gërryerja, gërryerja në mënyrë artizanale, se tani kanë filluar me makineri”
Mundohet që të jetë autentik e të ruaj elementët e instrumenteve si kaherë. Me shpalljen zyrtare të lahutës pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s për mbrojtje urgjente dhe vëmendja është më e madhe.
“Lahuta ka dru të veçantë. Për të nxjerrë drurin e lahutës duhet një ditë e kthjellët në hënën e vjetër quhet. Unë jam munduar të gjej dru mani, më i miri, arrë, qershi pajë … Mani ka dy veçori, ka bukurinë, tingëllon shumë bukur. Ruan jetëgjatësinë e timbrit të paktën deri 25 vjet, shkon duke u zbukuruar. Po të marrim plepin këndon shumë bukur në fillim pastaj nis degjeneron.
Lahuta ka dhe membranën, duhet kec i njomë, që të jetë sa më i hollë, dikur kanë përdorur dhe plënc bagëtie. S’ka kuptim lahuta pa këtë bisht. Dhia briartë simbolizon fuqinë, forcën, guximin”, theksoi ai.
Në një kohë kur artizanët e instrumenteve muzikore po rrallohen, ish mësuesi tashmë në pension kalon orë të tëra në punishten e tij modeste, me shpresën se kjo mjeshtri nuk do të zhduket
“Ka mjeshtra, me lahuta merren më pak, nuk janë shumë. Kosova ka më shumë. Jam i bindur se nuk do të zhduket, do të prodhohet më pak ndoshta”, tha ai.
E në fund të rreth gjashtë ditëve punë kur instrumenti ka marrë formë dhe i jep lustrën e fundit vjen dhe kënaqësia më e madhe e tij.
Synimin e quan të përfunduar kur dikush kërkon ta bëjë të veten një instrument të tillë, pasi kështu tradita trashëgohet ndër breza.
“Çiftelitë, këto i kërkojnë më shumë, nga jashtë më shumë, diaspora, ata që e duan e kanë pasion nuk kënaqen vetëm me një”, tha ai./abcnews.al


