Mjeshtri i gjimnastikës kërkon të vaksinohet te stadiumi: Edhe unë e meritoj

schedule19:37 - 24 Shkurt, 2021

schedule 19:37 - 24 Shkurt, 2021

Nga Ajgena Korbi

Ky çift pensionistësh  ka dëgjuar se bashkëmoshatar të tyre me kontribut në shoqëri kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit dhe ka ardhur në stadiumin “Air Albania” për të mësuar  kur do ta kryejnë dhe ata injeksionin anti-Covid.

Bashkëshorti i zonjës është Bujar Bujari, 13 vjet Kampion Kombëtar në Gjimnastikë.

“Dekoratë nga Presidenti i Republikës, ‘Mjeshtër i Madh’. Të gjitha i kam, por problemi është se njerëzit janë të pa informuar mirë”, thotë ai.

Për të bindur personat që kryejnë injeksionet 86 vjeçari bashkë me titujt ka marrë me vete dhe një vërtetim të mjekut të familjes për sëmundjet që mbart.

Si mbrojte nga koronavirusi në rreth një vit pandemi ky çift pensionistësh ka parë kufizimin e daljeve nga shtëpia ndërsa tashmë sytë i ka nga vaksina.

“Ne na i bëjnë komshinjtë të gjithë punët. Asnjëherë nuk dalim”, thotë zonja.

Në të gjithë vendin janë rreth 82 mijë të moshuar mbi 80 vjeç që presin të marrin dozat anti Covid 19. Autoritetet shëndetësore kanë deklaruar se vaksinimi i tyre do të nisë së shpejti.  Ata do të planifikohen dhe njoftohen për të marrë vaksinën nga mjeku I familjes sipas një kalendari të përcaktuar. /abcnews.al