Mjeshtri Gazmend Leka: Nudot, personazhe që kanë fjetur brenda meje

schedule23:35 - 24 Nëntor, 2021

schedule 23:35 - 24 Nëntor, 2021

“Arti bëhet sa është mungesë”, tha Mjeshtri i Madh, piktori Gazmend Leka, i ftuar në “Refleksione” në ABC. Ai e ka krahasuar pikturën me të gjitha profesionet që kanë rrënjët dhe frutin, ndërkohë që bukurinë e asaj që përmban një telajo ai kërkon ta shohim përtej të qenit një efekt zbukurues.

“Unë mendoj se është diçka më e thellë se sa një element zbukurues, pasi një telajo, në një çast mund të tregojë gjithë dhimbjen, gëzimin, trishtimin. Mund të tregojë gjithë themelet e jetës sonë, ndaj mendoj se piktura bëhet rrezatuese dhe rezistente”, u shpreh profesor Leka. Duke iu referuar ekspozitës së tij më të fundit “Kaloi një grua”, mjeshtri ka shpjeguar edhe lidhjen e tij me këtë gjini të pikturës.

Sipas Lekës, në kohën e diktaturës shkolla e përjashtoi këtë teknikë, që e quante “jo të moralshme”, duke rrezikuar kështu ndërprerjen e një nyje lombelikale lidhur me historinë e nudos.

“Gjithnjë kam besuar se aty në sirtaret e memories sime ishte nudo. Më ka krijuar një dimension të ri dhe këtë e kam ndier në sytë e vizitorëve. Disa e kanë konsideruar ekspozitën më të mirë. E kuptoj sepse afrohet edhe më shumë si në linjën vertikale dhe horizontale. Kur më pyesin për personazhet që pikturoj, për modelin, unë  kam thënë se këto janë personazhe, që kanë fjetur brenda meje.  Ekspozita është një epifani, një shfaqje, një dukje. Nuk është se tregon thjesht shijen time, por më pëlqen fakti se energjia femërore dhe energjia mashkullore shkojnë bashkë. Pa njëra-tjetrën, pa komunikuar këto dy energji, bota nuk do të ishte në harmoni. Ndaj përpara se të shoh një nudo, një trup lakuriq, unë shoh energjinë. Eshtë e njohur që në trupin e mashkullit ka pak femër dhe në trupin e femrës ka pak mashkull. Dhe kjo na bënë të ndihemi si dy komshinj të mirë, që shkëmbejmë kripë e sheqer”, u shpreh mjeshtri Leka për “Refleksione”.

Profesor Leka ka shpjeguar gjithashtu edhe rolin që luan ekuilibri mes së përhershmes dhe kalimtares në art. Sipas tij, pavarësisht se njerëzit nuk e kanë parë vdekjen me sytë e tyre, ata i shtojnë së përditshmes edhe mendimin për të përjetshmen.

“Ajo që është fikse, që është qendër dhe ajo që është kalimtare, dhe që është periferia, janë dy gjëra që shpjegojnë se si është ndërtuar jeta e që ndërtohet dhe arti, letërsia, piktura, muzika. Po të shkosh në ekstremet e periferisë dhe qendrës, atëherë shkojmë te ajo që është thelbi; që vdekja është e përhershmja, ndërsa jeta është kalimtare”, u shpreh “Mjeshtri”.

Ai shpjegoi edhe rolin e madh që kanë luajtur librat fetarë dhe letërsia në ndërtimin e punëve të tij.

“Kur ndërtoj ekspozita i kthehem këtyre librave. P.sh kur ndërtova ekspozitën ‘Lutja’ iu riktheva romanit ‘Vëllezërit Karamazov’ të Dostojevskit dhe rilexoja momentet e At Zosimës, kur shtrihej dhe përpëlitej, sepse e parandiente se në familjen Karamazov do ndodhte diçka. Dhe kur ndërtova ‘Noen’ kisha parasysh përmbytjet e përvitshme, ku kemi parë edhe bagëti e shtëpi që përpihen, e ne sërish vijojmë të mos bëjmë gjë, që të mos ndodhin. Ashtu siç përshkruhet në historinë e njerëzimit dhe në histoitë e librave të shenjtë, që na vjen herë si Noe e herë si Nuhu, përmes krishtërimit dhe islamit, që janë dy fetë fondamentale në Shqipëri. Kur shoh pas, unë nuk mendoj se sa vjet do jetojë piktura ime, por më intereson krijimi. Dhe kur e kryej e ndiej se aty janë momentet kur kam lexuar libra, kur kam parë filma, kur kam jetuar. Dhe këto bëjnë atë që është qenia ime”, u shpreh Leka.

Ai ka sjellë për “Refleksione” edhe një shprehje arabe, që ua përsërit shpesh studenëtve. “Kur Zoti u dha diturinë njerëzve, shtatë gërma të alfabetit ranë poshtë tavolinës. Pra, mesazhi perfekt është i cunguar. Pikërisht ditën kur t’i gjejmë këto shtatë gërma, atëherë mund të themi se e kemi marrë mesazhin. Por këto shtatë gërma mund të jenë shtatë ngjyrat, mund të jenë shtatë notat e muzikës. Pra, kjo mungesë më çon mua te piktura. Ndoshta në një botë perfekte, piktura dhe muzika nuk duhet të ekzistojnë. Por bota nuk është e tillë dhe kjo mungesë e perfeksionit duket si jep rrugë artit”, u shpreh piktori Leka, duke shpjeguar atë lidhje të artit me të shenjtën. Sipas Lekës, kryefrika më e madhe e njeriut do të mbetet vdekja dhe kjo fuqi e madhe e ka shtyrë në krijimtarinë e tij. “Shumë kohë më parë kam thënë që kam frikë nga errësira, kam frikë nga tërmeti dhe avioni. Unë nuk kam thënë që kam frikë nga vdekja. Por unë i kam pikturuar frikërat e mia”, tha Leka në “ABC”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!