Mjerimi i ulur këmbëkryq në familjen krutane, 7 anëtarët jetojnë në shtëpinë e shkatërruar nga tërmeti

schedule15:24 - 29 Tetor, 2022

schedule 15:24 - 29 Tetor, 2022

Nga Ahmet Zani 

Familja Karraci me 7 pjesëtarë nga fshati Mafsheq i malësisë të Krujës jeton në këtë banesë të shkatërruar nga tërmeti i 2019.

Për të shkuar në shtëpinë e tyre nuk ka rrugë, duhet të ecësh mbi 30 minuta. Mund të rrezikosh dhe jetën duke kaluar në këtë urë të improvizuar.

E më pas të ngjitesh tek shtëpia me këto shkallë.

Mjerimi në këtë familje është ulur këmbëkryq. Të gjithë ushqehen me rrogën minimale të nuses së shtëpisë e cila edhe pse është në muajin e 8 të shtatzënisë punon në një fasoneri në Krujë.

Më shumë se për ushqime cilësore kanë nevojë të jetojnë në një banesë të sigurt, pasi dhe çadra që është dëmtuar. Të gjithë po jetojnë tek një prej dhomave të shtëpisë dhe ambientin e kanë ndarë me perde.

Bujari, prind i 3 fëmijëve, të cilit i duhet të kujdeset dhe për prindërit e sëmurë është shumë i prekur nga mos-vëmendja e drejtuesve të institucioneve.

“Na kanë sjellë vetëm një çadër. Tani rrimë tek shtëpia e gjyshit në një dhomë. E kemi shumë të vështirë. Na kanë premtuar për shtëpi të re po nuk kanë bërë asgjë deri tani.”

Avdiu, i ati i Bujarit pas një aksidenti në punë vite më parë është i paralizuar atij i dhimbset shumë i biri, bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

“Më dhemb shpirti për të gjithë! Si ka dhembur shpirti askujt për malësinë. Thuhet vetëm partia, partia, qeveria qeveria, është mbushur thesi me parti. Kërkoj vetëm strehim, strehim, strehim për kalamajtë e mi.”

“Kemi tre vjet kështu. Na kanë thënë do ta rregullojmë shtëpinë, po na mbajnë me rena.”

Që fëmijët mos ju mbeten analfabetë, Bujari dhe bashkëshortja e tij sakrifikojnë shumë për shkollimin e tyre. I dërgojnë çdo ditë për tu arsimuar në Krujë. Pas disa javësh që do vijë në jetë dhe fëmija i katërt do të kenë më shumë shpenzime dhe nuk do të paguajnë dot furgonin.

“Me vështirësi e kam paguar furgonin me 1 mijë lekë në ditë. Tani nuk mundem më. Do t’i çoj me gomar se nuk kam çfarë të bëj.”

Me të njëjtat probleme si familja Karraci përballen dhe të tjera në këtë fshat të Krujës. Jetojnë banesa të shkatërruara nga tërmeti dhe në kushte shumë të vështira ekonomike./Abcnews.al/