Infermieri në Durrës: Nuk bëhen gjurmime e testime për COVID-19, dikush do që të ulet numri

schedule21:33 - 25 Mars, 2021

schedule 21:33 - 25 Mars, 2021

Në qytetin e Durrësit epidemiologët po dalin jashtë loje. Burime nga njësia vendore e kujdesit shëndetësor tregojnë se mjekët e familjes nuk bashkëpunojnë me ta dhe nuk i referojnë rastet pozitive.

Ndihmës epidemiologu nga Durrësi Zija Alhysa hedh dyshime të forta për ulje tendencioze të shifrave të të infektuarve me covid. Kjo përbën një rrezik për përhapjen më lehtë të virusit. “Dikush do që të ulet numri. Del një i infektuar, po kontaktet, familjarët nuk testohen dhe vetëm karantinohen. Nuk izolohen 14 ditë dhe përhapin virusin” tha ai.

Alhysa tregon gjithashtu se kohët e fundit mjekët e familjes referojnë gjithnjë e më pak të dyshuar për të kryer tamponë. “Mjekët e familjes e kanë të vështirë të hyjnë në sistemin online. 127 para dy ditësh kisha një problem të një hoxhe të katundit pasi ka pyetur hoxha të gjithë mjekët dhe nuk kishte sistem. Pyeti, 127 dhe i thanë pyet mjekun e familjes. Numri i tamponëve është ulur në mënyrë fiktive. E di sa janë të sëmurë në Durrës dhe sa tampone bëhen”.

Për këtë arsye një fëmijë i dyshuar me covid nuk kreu dot testin. “Tani e përzumë një. Se s’ka hyrë në sistem. Fëmija me dializë nuk bën dot tamponin është me dializë se nuk ka hyrë mjeku në sistem dhe e çuam të marrë një letër me dorë” tha ai. Durrësi është një prej qyteteve me numrin më të lartë të të infektuarve në vend, me mbi 1424 raste aktive./ Abcnews.al